Janë 30 vjet pune pranë Kinostudios me realizimin e filmave artistikë dhe dokumentarë, me regjitë dhe përgatitjene e skenarëve, por edhe krijime letrare të botuara në këto 20 vitet e fundit. Fehmi Hoshafi u lind në Tiranë më 28 Shtator 1934. Filloi të punojë në kinematografi si asistent i regjisorëve veteranë Hakani dhe Dhamo, në filmat e tyre “Toka jonë”, 1964; “Vitet e para”, 1965; “Oshtimë në bregdet”, 1967; “Gjurma”, 1970.
Në vitin 1968 realizoi vetë spektaklin Estrada në Ekran, i cili u xhirua nga Kinostudioja në formën e një filmi artistik. Prej suksesit që pati ky film, iu besua më vonë, në vitin 1972, regjia për kinokomedinë aq të dashur “Kapedani”, të cilin e realizoi së bashku me regjisorin Muharrem Fejzo. Ky film shënon lindjen e kinokomedisë në kinematografinë shqiptare e që u pasua më vonë me kinokomedi të tjera po aq të dashura nga regjisori Hoshafi si “Ëndërr për një karrige”,1984, “Zëvendësi i grave”, 1987, etj. Në periudhën 1976-1990 realizon edhe filma të tjerë artistikë dhe dokumentarë, ndër të cilët, filmi “Shoku ynë Tili”, që nderohet me çmim në Festivalin Ndërkombëtar për Fëmijë e të Rinj, Giffoni, në Salerno, Itali.
Fehmi Hoshafi emigroi në Greqi në vitin 1995, ku pas kësaj periudhe ai nisi të shkruajë dhe botojë disa libra.
Shkrimi u publikua sot(26.09.2014) në gazetën Shqiptarja.com(print)
