Është shpërthimi, pak para se ai pothuajse të tërhiqej jashtë avionit, që Ljubisa Karoviç kujton. Zhurma shurdhuese e dritares që u thye, e cila e zgjoi nga gjumi në sediljen 11F pranë dritares në fluturimin e mëngjesit të Ryanair nga Greqia drejt Gjermanisë.
11 ditë dhe net më vonë, ajo mbetet hyrja “drejt kaosit, katastrofës” që vazhdon ta mbajë zgjuar natën.
“Shpërthimi është ajo që kujtoj,” thotë sipërmarrësi serb në një intervistë për Guardian.
Me kokën të mbështetur në qafore dhe sytë e ngulur në largësi, ai shton: “Është zhurma para kaosit, zhurma që është gjithmonë aty sa herë që mbyll sytë për të fjetur.”
Dhimbja e ndjek ende Ljubisa Karoviçin dhe është e lehtë të kuptohet përse. Djegiet dhe mavijosjet e theksuara në krahun e tij të djathtë, që ngjiten deri te sqetulla dhe kraharori, janë dëshmi e një fakti që pak njerëz do ta harrojnë: 61-vjeçari u thith jashtë dritares së një avioni, e cila u shkëput gjatë fluturimit, në rrethana që ende po hetohen dhe mbijetoi.
“Jam me fat,” thotë ai me një nënvlerësim të dukshëm, teksa përzë një mizë në verandën e vilës modeste që ka marrë me qira në Katerini, një resort bregdetar në zhvillim pranë Selanikut. “Nuk mbaj mend shumë dhe koka e qafa ende më dhembin, por jam ende gjallë. Mund të ketë qenë rripi i sigurimit, fakti që isha ende i lidhur me të. Por ndoshta ishte fati. Unë besoj te Zoti dhe e falënderoj çdo ditë.”
Mezi kanë kaluar 100 orë që kur Karoviçi doli nga spitali. Tronditja, thotë ai, ishte e jashtëzakonshme, por fakti që ai mund ta tregojë këtë histori është diçka që nuk mund të quhet ndryshe veçse një mrekulli. Avokati i tij grek, Vasilis Tsiaras, e përshkruan babanë e dy fëmijëve, me trup të hollë e të fuqishëm, si “dikush që është gjallë gabimisht”.
Ai tregon se Karoviç po shkonte drejt Gjermanisë për të festuar ditëlindjen e vëllait kur përfundoi me kokën dhe krahun jashtë avionit, ndërsa ky i fundit lëvizte me shpejtësi mi 600 km/h.
“Ai pa vdekjen, atë botën tjetër, dhe u kthye”, thotë Tsiaras
Pasagjerët e fluturimit FR1879, përfshirë bashkëshorten e Karoviçit, Svetlanën, e ulur në sediljen 14C, tre rreshta pas bashkëshortit të saj, ende kanë kujtime të gjalla nga momenti kur dritarja u thye, maskat e oksigjenit ranë, rrëmuja që pasoi ndërsa shishet dhe objekte të tjera fluturonin në ajër dhe pasagjerët e tjerë kapën Ljubisën, duke u përpjekur me dëshpërim ta mbanin në vend.
“Edhe unë vrapova drejt tij. Asnjë nga anëtarët e ekuipazhit të kabinës nuk ndihmoi. Ishin pasagjerët,” thotë ajo. “Një burrë, mendoj se ishte shqiptar, ishte i jashtëzakonshëm. Ai bëri gjithçka që mundi për ta tërhequr brenda dhe më pas u përpoq ta bllokonte dritaren, fillimisht me një çantë që u thith menjëherë jashtë dhe më pas me një valixhe, e cila funksionoi. Ne do t’i jemi përjetësisht mirënjohës atij.”
Momentet e padurueshme kur ajo pa bashkëshortin e saj “gjysmë brenda dhe gjysmë jashtë avionit” mendohet se zgjatën nga një minutë e gjysmë deri në dy minuta.
“Më thonë se humba ndjenjat dy herë dhe përsëri brenda avionit, dhe se fytyra ime ishte fryrë dhe deformuar për pak kohë për shkak të presionit, të vrullit të ajrit,” thotë Karoviçi me zërin e tij të qetë. “Gruaja ime ma kujton këtë.”
Ryanair ka mbrojtur performancën e stafit, duke thënë se ekuipazhi i kabinës bëri “një punë fenomenale”. Tsiaras, avokati, nuk pajtohet me këtë. Ai thotë se, ndërsa djali i Karoviçit, Danjell, i cili kishte rezervuar fluturimin, është kontaktuar nga kompania, as Ljubisa dhe as Svetlana nuk janë telefonuar dhe nuk kanë marrë ndonjë ndihmë apo mbështetje.
“Ne nuk kemi asnjë ankesë ndaj pilotit, i cili ndoqi protokollet e sigurisë dhe e menaxhoi situatën shumë mirë,” shton Tsiaras, duke iu referuar zbritjes së shpejtë që duhet të kryhet në rast se avioni humbet presionin në kabinë. “Klienti im humbi ndjenjat dy ose tri herë, një herë jashtë avionit kur u thith pjesërisht jashtë nga dritarja dhe dy herë brenda, kur përsëri humbi vetëdijen. Në asnjë moment ekuipazhi i kabinës nuk ofroi ndihmë.”
Ryanair e kundërshtoi këtë pretendim, duke thënë se gjatë procesit të uljes së presionit dhe zbritjes së shpejtë në një lartësi më të ulët, të gjithë pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit të kabinës duhet të vendosin rripat e sigurimit dhe të vendosin maskat e oksigjenit. “Sapo avioni zbriti në një lartësi të sigurt, ekuipazhi ynë i kabinës iu afrua dhe i dha ndihmë zotit Karoviç, duke e zhvendosur në vende të tjera (pranë bashkëshortes së tij) dhe organizoi që një mjek në bord të qëndronte me ta derisa avioni u ul në mënyrë të sigurt përsëri në Selanik. Ata gjithashtu organizuan që ndihma mjekësore të ishte në pritje pas uljes në Selanik,” tha kompania ajrore në një deklaratë për Guardian.
Duke iu referuar dëshmive të dëshmitarëve, Tsiaras pretendoi se personeli i ekuipazhit të kabinës ishte paralizuar nga frika, ndoshta për shkak të bindjes se, me humbjen dramatike të lartësisë, avioni ishte pranë rrëzimit.
“Të gjithë kanë rënë dakord se ekuipazhi ishte në gjendje shoku, i frikësuar se avioni do të rrëzohej. Ishin pasagjerët e tjerë ata që u mblodhën rreth Ljubisës dhe i dhanë ujë,” thotë ai.
Pronar i një fabrike alumini me seli në Serbi, e cila prej vitesh ka eksportuar mallra në vende të ndryshme të botës, Karoviçi, një udhëtar i shpeshtë me avion, tërhiqet me tmerr nga mendimi për të udhëtuar përsëri me avion.
Mjekët e kanë paralajmëruar se rikuperimi do të jetë i ngadaltë, duke e urdhëruar të mbajë mbajtësen e qafës për të paktën gjashtë javë, pas së cilave do të përcaktojnë nëse nevojitet ndërhyrje kirurgjikale. “Ka pamje që më rikthehen, zhurma e shpërthimit, kaosi, por unë dua të shërohem,” thotë ai. “Dhe, po, duhet të ketë edhe dëmshpërblim. Jo vetëm email-e që janë përqendruar te ndryshimi i rezervimit të fluturimit.”
I pyetur nëse ka një mesazh që dëshiron të përcjellë, ai lejon veten të buzëqeshë. “Gjithmonë sigurohuni që ta vendosni rripin e sigurimit. Nuk dua që askush të vuajë atë që më ndodhi mua.”/The Guardian
Komente










