“Situata në Gjermani është më e rrezikshme që nga viti 1918.” Ky është paralajmërimi që  ish-zv.ambasadori shqiptar në Gjermani, Jorgji Kote, dha në Report TV teksa analizoI ndryshimet e forta në peizazhin politik gjerman pas rezultateve të zgjedhjeve lokale. Sipas tij, rritja e partisë së ekstremit të djathtë AfD dhe rënia e Bashkimit Kristian Demokrat (CDU), forcës që ka dominuar politikën gjermane për dekada, nuk janë më vetëm një zhvillim i brendshëm politik, por një sinjal që mund të ketë pasoja për të gjithë Europën, pasi Gjermania mbetet boshti i Bashkimit Europian.

“Simbolika është shumë e madhe. Ka të bëjë me zhgënjimin ndaj koalicionit qeveritar CDU-CSU dhe socialdemokratëve. Ka një vit e gjysmë që ka ardhur kjo qeveri e re, me premtime të mëdha, dhe njerëzit nuk po prekin asnjë përmirësim, madje ka përkeqësim sa i përket sigurisë dhe krimit. Dështimi për të mbajtur premtimet solli ndryshimin e madh në politikën e brendshme. A jo që po vihet re është se në Gjermani po zhduket klasa e mesme dhe partitë e qendrës. Qendra e majtë dhe qendra e djathtë po zëvendësohen nga dy ekstremet, AfD dhe Linke. Kjo do të ketë pasoja për Gjermaninë. Humbja e qendrës dhe e shtresës së mesme do të thotë t'i afrohemi situatës së para 100 viteve, kur në njërën anë ishte ekstremi i djathtë dhe në anën tjetër komunistët. Pasoja do të ketë edhe për Europën, sepse Gjermania është boshti i Bashkimit Europian. Është situata më e rrezikshme që nga viti 1918. Fitoret e partive të ekstremit ishin më shumë se një tërmet për Merzin, për Gjermaninë dhe për Europën”, përfundoi Kote.”, tha Kote gjatë analizës së tij në emisionin 'Sot Live në Shqipëri.'

Sipas diplomatit, një tjetër faktor që po forcon AfD-në është mënyra se si ajo komunikon me elektoratin dhe mbështetja që gjen te të rinjtë.

“AfD ka një lidership karizmatik, të lidhur me masat. Ajo mbështetet shumë nga rinia, studentët, të papunët dhe grupmoshat deri në 50-60 vjeç, ndërsa për CDU kanë votuar kryesisht moshat mbi 70 vjeç. AfD përdor një gjuhë populiste për të tërhequr njerëzit”, u shpreh Kote.

Ai nuk beson se e djathta tradicionale e ka mbyllur ciklin e saj, por paralajmëron se synimi i AfD-së është të zëvendësojë CDU-në si forca kryesore e qendrës së djathtë dhe të marrë pushtetin në zgjedhjet e ardhshme federale.

“Synimi i tyre është të arrijnë në qeveri. Në zgjedhjet federale pas dy ose tre vitesh mund të fitojnë pushtetin. Ata nuk duan koalicion me parti të tjera, por të imponojnë axhendën e tyre. CDU duhet të japë prova se është ende një parti e fortë, përndryshe kjo situatë do të prekë jo vetëm Gjermaninë, por edhe Francën, Spanjën, Portugalinë, Greqinë dhe vende të tjera”, tha ai.