KUKES – Rreth 12 mijë banorë të komunave Tërthorë, Shtiqën e Bicaj në rrethin e Kukësit janë prej më shumë se 10 ditësh pa energji elektrike. Kompania CEZ-Shpërndarje prej disa muajsh në këto komuna bën prerje kolektive duke i penalizuar të gjithë banorët edhe ata që paguajnë rregullisht faturat e energjisë elektrike. Kryeplaku i fshatit Përbrek, Rakip Matmutaj shprehet se banorët e këtyre zonave janë shumë të varfër dhe se nuk mund të paguajnë faturat e energjisë.

Ndërprerja e energjisë elektrike në komunat e Kukësit ka krijuar edhe një tjetër problem madhor për këta banorë pasi pa energji ata mbeten edhe pa ujë të pijshëm.

Ndërkohë gjatë periudhës 10 ditore banorët e komunave Tërthorë, Shtiqën e Bicaj kanë protestuar edhe para nënstacionit elektrik të Rexhepajve, që furnizon rrethin e Kukësit dhe gjysmën e rrethit të Hasit me energji elektrike, duke u futur edhe në mjediset e tij dhe duke lënë në errësirë të plotë të gjitha zonat që furnizohen nga ky nënstacion. Banorët protestues kanë bllokuar edhe autostradën natën e mbrëmshme në shenjë pakënaqësie edhe ndaj indiferencës së shtetit për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e problemit të dritave.

(Gre.M/Shqiptarja.com)