KUKES - Policia ka arrestuar ditën e sotme Besnik Zelën, 54 vjeç, banues në fshatin Bushat të komunës Bicaj, si autor i vrasjes me thikë në fyt të 51 vjeçarit Rakip Bilali, mbrëmjen e 11 shtatorit në Kolesjan të Kukësit.

Mësohet se arrestimi i tij është bërë i mundur falë bashkëpunimit mes forcave blu të Kukësit dhe familjarëve të autorit të vrasjes. 

Grindja mes tyre më 11 shtator nisi pas një sherri verbal mes tyre, në ambientet e një lokali, ku autori 54 vjeçar ka qenë në gjendje të dehur dhe ka prerë me thikë në fyt 51 vjeçarin Bilali. 51-vjeçari, banues në fshatin Bicaj ndërroi jetë në spitalin e Kukësit rreth një orë pasi u fut në sallën e operacionit.

Pas vrasjes Zela u largua nga vendi i krimit, duke u shpallur në kërkim nga ana e policisë, ndërsa një ditë më pas efektivët blu prangosën pronarin e lokalit 45-vjeçarin Kapllan Rada. Sipas bluve të qytetit të Kukësit, Rada dyshohet se ka fshirë gjurmët duke penguar kështu punën e policisë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)