Kukësi vazhdon ëndrrën Evropiane dhe është më pranë se kurrë turit të tretë eliminator të Evropa League për ketë edicion. Ekipi i drejtuar nga trajneri Armando Cungu arriti një fitore mjaft të vyer përballë ekipit Sarajevos në stadiumin ‘Qemal Stafa’ me rezultatin 3-2 duke qenë me një këmbë në turin tjetër.

Si radhë herë kur luan një ekip shqiptar në Kupat e Evropës, mbështetja për këtë ndeshje ka qenë maksimale, tifozët në shkallët e stadiumit krijuan një atmosferë inkandeshente duke ndihmuar futbollistët në misionin e tyre. Ndeshja e mbushur me shumë spektakël dhe emocione ka dhuruar gjithçka, gola, autogola, lojë të shpejtë dhe të bukur duke justifikuar të gjitha pritshmëritë. Takimi ka nisur në mënyrën më të mirë për ekipin e Kukësit që kalon një avantazh shumë shpejt me Hoxhën në minutën e 24 pas një aksioni të shpejtë nga mesfusha me Allmucën.

Hoxha i gjendur para portës godet saktë duke mposhtur kundërshtarin. Por nuk kalon shumë kohë dhe Kukësi bën ‘harakiri’ me Popovic pasi shënon në portën e tij në autogol. Vendasit çorientohen pas golit të barazimit duke shënuar vetëm një minutë më pas golin e avantazhit me Todorovic. Por Kukësi nuk dorëzohet dhe në fund të pjesës së dytë pas një goditje këndi është Popovic që shlyen gabimin dhe shënon golin e barazimit duke ngritur stadiumin në këmbë.

Me këtë rezultat mbyllet edhe pjesa e parë e ndeshjes që dominohet më së shumti nga verilindorët shqiptarë. Në pjesën e dytë, Cungu zbret në një fushë një ekip akoma më shumë të karikuar që kërkon golin e fitores me cdo kusht. Pas disa aksioneve të shpejta nga krahët është Hoxha që vendos në presion portierin mik, i cili në tentativën për të larguar topin gabon duke ia dhuruar Allmucën, ky i fundit përballë boshnjakut nuk gabon duke dërguar topin në rrjetë dhe ngritur stafin teknik dhe të gjithë stadiumin në eufori.