Eduart Kukan shprehet se ështe ndjerë i zhgënjyer nga procesi i zgjedhjes së presidentit të ri, duke konfirmuar deklaratën e dhënë javën e kaluar se është një shans i humbur për Shqipërinë.

Mënyrën si u zgjodh Presidenti e cilësuat një shans të humbur, pse ju trishtoi dhe çfarë prisnit?
Dua të veçoj një gjë. Ishtë një shans i humbur për klasën politike të Shqipërisë, për të gjithë ata. Unë e di dhe dua ta them qartë se zgjedhja e Presidentit ishte në përputhje me Kushtetutën. Por kjo nuk është mjaftueshëm mirë për mua. Unë prita që partitë politike do të tregonin më shumë përfshirje në dialogun politik i cili duhej të çonte në zgjedhjen e Presidentit. Pse them se ishte një mundësi apo një shans i humbur: sepse gjatë një kohe neve na vinin lajme pozitive nga Tirana, se dialogu po vijon, se janë ngritur disa komisione parlamentare që po japin disa rezultate. Pra në ndjekje të kësaj klime të re apo të kësaj situate politike pozitive, unë prita që zgjedhja e Presidentit do të ishte shansi ideal për ta dëshmuar këtë. Pra në këtë kuptim unë u zhgënjeva.

Tashmë kemi për President, ish-ministrin e brendshëm të kësaj qeverie, a ishte kjo mënyra e duhur?
Kësaj pyetje do t'i përgjigjem në dy kënde. Në lidhje me vetë personin, unë mendoj se është një politikan i aftë, e kam takuar dhe kam biseduar gjatë me të, dhe unë vetë kam respekt për të, e respektoj. Pra unë po ndaj procesin zgjedhor nga kandidati.
Procesi, siç e thashë, duhej të kishte qenë më shumë transparent dhe me më shumë konsultime. Duke patur parasysh situatën ku Shqipëria ndodhet për një kohë panevojshmërisht kaq të gjatë, unë do kisha pritur shumë më shumë pjekuri politike e përgjegjësi.

Tani që mazhoranca e kryeministrit Berisha mori në dorë të gjitha pushtetet, a besoni se do të realizohen më shpejt reformat që i kërkohen vendit?
Në deklaratën time për shtyp pas zgjedhjeve unë thashë se nëse nuk do të ketë ndryshim të kësaj qasjeje apo të kësaj filozofie politike atëherë unë jam i shqetësuar që Shqipëria mund të humbasë edhe më shumë mundësi të tjera në të ardhmen, dhe kjo do të ishte thjesht shumë gjë e keqe. Tani do ta them troç: neve këtu na ka ardhur në majë të hundës duke lexuar akuzat e njërit kundër tjetrit, apo të këtij të fundit kundër të parit. Nuk mund të vazhdojë kështu nëse Shqipëria do që të arrijë një farë progresi. Koha po fluturon shpejt e muaji nëntor, kur do të kemi raportin e progresit të Komisionit, nuk është më kaq larg. Po ku janë rezultatet? Ato 12 prioritete janë mbi tavolinë për një kohë shumë të gjatë dhe unë do të prisja më shumë, më shumë rezultate kur nuk ka mbetur më shumë kohë para raportit të progresit.
Pra pas kësaj lind pyetja a do të ketë status kandidat apo jo. Kam disa muaj që unë vetë po e përsëris këtë gjë dhe kjo është ajo që ne po e presim akoma dhe që nuk po vjen. Për reformën zgjedhore përshembull, u arrit afër një marrëveshje, por as kjo marrëveshje nuk është mbyllyr ende. Komisioneri Fule dha si afat të fundit datën 24 maj, por ky afat u humb. Pra megjithë lëvizjen e gjërave ne po shtyjmë pasi na duhen rezultate. Në këtë kuptim duhet të ketë realisht më shumë përgjegjësi politike dhe presion nga brenda Shqipërisë, presion nga populli i cili përfundimisht meriton një situatë më të mirë.

Ju shmangët sërish pyetjes time. Të fusësh në një thes qeverinë me opozitën është një gjë....?
E dini çfarë? Do të varet nga sjellja e qeverisë. Nëse kanë vullnet do të duhet ta dëshmojnë. Unë nuk mendoj se, nëse do të ketë zero rezultate, do t'ia arrijnë që të hedhin të gjithë fajin mbi opozitën. Do të varet se si do të sillen ata realisht pasi nga ne nuk do të pranohet asgjë tjetër përveçse rezultateve si dëshmi se gjërat po ecin.

Marre nga Shqiptarja.com
sg/shqiptarja.com