Reshjet e dendura të shiut dhe bores të rëna gjatë gjysmës së parë të këtij muaj, kanë shkaktuar dëme serioze në rrugën kryesore të lagjes Xhaferraj-Turraj, një aks i rëndësishëm lidhës që siguron komunikimin e kësaj zone me qytetin e Kukësit përmes rrugës së Shishtavecit dhe Topojanit.

Si pasojë e rrëshqitjes masive të dherave rruga është pakalueshme prej 10 ditësh, duke lënë të izoluar rreth 50 familje që jetojnë në këtë lagje.

Banorët shprehen se situata po bëhet gjithnjë e më e vështirë, pasi mungesa e qarkullimit po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme pasi rruga është dëmtuar nga reshjet  të cilat kanë dobësuar terrenin përreth, duke shkaktuar rrëshqitje të vazhdueshme dhe shembje të dherave mbi trupin e saj.

Një tjetër shqetësim serioz i ngritur nga banorët lidhet me sigurinë e banesave, pasi rrëshqitja e dherave ka ardhur shumë pranë shtëpive dhe ekziston frika se, në rast të reshjeve të tjera, situata mund të përkeqësohet edhe më tej.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente jo vetëm për hapjen e rrugës, por edhe për marrjen e masave parandaluese, me qëllim stabilizimin e terrenit dhe shmangien e rrezikut në të ardhmen.

Në mbështetje të shqetësimeve të banorëve ka dalë edhe kryetari i degës së Partisë Demokratike në Kukës, Rrahman Demaj. Ai thekson se banorët e kësaj zone janë të izoluar prej ditësh, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet vendore.

Bashkia Kukës ka bërë me dije se strukturat përkatëse janë në terren dhe po shqyrtojnë mundësitë për hapjen provizore të rrugës, deri në një zgjidhje përfundimtare që do të garantonte sigurinë e plotë të këtij aksi.