Reshjet e shumta të shiut në qarkun e Kukësit kanë rritur ndjeshëm prurjet në hidrocentralin e Fierzës. Të dhënat e fundit nga HEC-i i Fierzës tregojnë një rritje të prurjeve deri në 1400 metër kub ujë për sekondë.
Aktualisht, niveli i liqenit të Fierzës është 281.18 metra. Pavarësisht sasisë së konsiderueshme të reshjeve, hidrocentrali i Fierzës vijon të mos prodhojë energji elektrike, me qëllim ruajtjen e rezervave ujore. Fuqia aktive e prodhimit është 0 megavat dhe aktualisht asnjë nga katër agregatët e HEC-it të Fierzës nuk është në punë.
Drejtuesit e hidrocentralit bëjnë të ditur se situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll, ndërsa monitorimi i prurjeve dhe nivelit të liqenit vijon në mënyrë të pandërprerë. Sipas tyre, çdo vendim për vënien në punë të agregatëve apo për shkarkime të mundshme do të merret në përputhje me parashikimet hidrologjike dhe protokollet e sigurisë.
Liqeni i Fierzës, në nivelin maksimal prej 296 metrash, ka një kapacitet ujëmbajtës prej rreth 2.7 miliardë metër kub ujë, çka e bën atë rezervuarin më të madh hidroenergjetik në vend.
Fierzë luan një rol kyç në sistemin energjetik kombëtar, jo vetëm për prodhimin e energjisë elektrike, por edhe për menaxhimin e prurjeve të lumit Drin dhe shmangien e rrezikut të përmbytjeve në zonat e ulëta.
Lajmi kryesor:
Shiu ‘paralizon’ vendin/ Evakuohen 180 banorë në Durrës, 800 shtëpi të përmbytura! 15 banesa nën ujë në Shkodër! Kritike situata në Gjirokastër (VIDEO)









