/ATSH/ - Banorët e fshatit Mamëz, të komunës Kolsh në rrethin e Kukësit, kanë kërkuar që kompania e cila po shfrytëzon tokat e tyre për nxjerrjen e hekur-nikelit, të paguajë dëmshpërblimin që iu takon, pasi pronat ku po punon firma janë të banorëve të zonës.

Ata shprehen se kompania u ka sjellë një dëm të madh ekonomik, duke shkatërruar arat, kullotat si dhe blegtorinë.

Banorët thonë se kjo është një e drejtë legjitime e tyre, ndaj kërkojnë që shteti të kthejë sytë nga ta për të vënë të drejtën në vend.

Minierën e hekur-nikelit në këtë zonë e ka marrë për shfrytëzim kompania" Viktoria Invest" e cila ka dokumentacionin e plotë për ta shfrytëzuar dhe lejen përkatëse nga ministria e linjës. Kompania në bazë të rregullave ka vënë në dijeni komunën Kolsh dhe drejtorinë e shërbimit pyjor e atë të mjedisit për punimet që do të kryejë.