Kukës- U vetëplagos aksidentalisht me armë në lokal ditën e djeshme (26 Nëntor), Policia e Kukësit arreston 19-vjeçarin e dëmtuar për armëmbajtje pa leje.
Gjithashtu nën pranga ranë edhe pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja dhe 3 persona të tjerë, kurse një i katërt u shpall në kërkim, për akuzat e “moskallëzimit të krimit” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës, arrestuan në flagrancë shtetasit: B. P., 19 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale "mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit" (i plagosuri); S. C., 54 vjeç, pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, A. G., 28 vjeç, M. S., 30 vjeç dhe F. A., 37 vjeç, të gjithë banues në Kukës”, njoftoi sot (27 Nëntor) policia vendore.
Gjithashtu sqarohet se shpallën në kërkim edhe shtetasin A. K., 28 vjeç, për veprat penale "moskallëzimi i krimit" dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Hetimet për ngjarjen po vijojnë, për të zbuluar plotësisht dinamikën dhe nëse është një ngjarje kriminale dhe jo aksidentale.