SPAK mbyll hetimet dhe kërkon nisjen e gjyqit për kryebashkiakun e Partisë Socialiste në Vaun e Dejës, Kristian Shkreli, për korrupsion aktiv në zgjedhje. Sipas SPAK gjatë fushatës se 11 majit, Kristian Shkreli “u ka premtuar dhe ofruar të mira materiale zgjedhësve të fshatit Stajkë, në Bashkinë e Vaut të Dejës, në këmbim të votës për Partinë Socialdemokrate”, të Tom Doshit.

Shkreli - thotë SPAK – “ka qenë aktiv në fushatë duke kërkuar vota për PSD dhe duke shfrytëzuar nevojat e banorëve të fshatit Stajkë për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të energjisë elektrike, investim i realizuar gjatë fushatës”.

Në një reagim për Report Tv Kristjan Shkreli Tv thotë se investimi është kryer nga OSHEE dhe mohon t’i ketë kërkuar banorëve të votojnë për Tom Doshin. Në dijeninë e tij -SPAK disponon biseda të banorëve mes njëri-tjetrit, që shprehen se “ia kemi borxh Kristjanit votat”.  Por e vërteta sipas tij, do të dalë edhe nga ballafaqimi me dëshmitarët nëse GJKKO pranon kërkesën e SPAK dhe nis gjyqin.

Sipas njoftimit të SPAK, ky episod është një fraksion i hetimit për korrupsion aktiv në zgjedhje ndaj kryebashkiakut Shkreli, çështje për të cilën hetimi vijon dhe dyshohen të përfshirë edhe persona të tjerë.

"Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe më datë 23.10.2025 ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë procedimit penal nr. 49/1, të vitit 2025 (i ndarë nga procedimi penal nr. 49 i vitit 2025), në ngarkim të të pandehurit Kristian Shkreli, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.

Nga aktet e administruara gjatë hetimit proaktiv dhe ndjekjes me metoda speciale hetimore, (përgjimet e bisedave telefonike, vëzhgimet, si edhe kryerja e veprimeve të tjera hetimore), në kuadër të procedimit penal nr. 49 të vitit 2025, ka rezultuar se i pandehuri Kristian Shkreli, me detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme në zgjedhjet e zhvilluara më datë 11 maj 2025, për Kuvendin e Shqipërisë.

Gjatë fushatës zgjedhore, Kristian Shkreli u ka premtuar dhe ofruar të mira materiale zgjedhësve të fshatit Stajkë, në Bashkinë Vau Dejës, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik Partia Socialdemokrate e Shqipërisë. 

Gjatë hetimit është evidentuar se i pandehuri ka qenë aktiv në fushatën zgjedhore, në mbështetje të këtij subjekti politik, duke shfrytëzuar nevojat e banorëve të fshatit Stajkë për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të energjisë elektrike, investim i realizuar gjatë periudhës së fushatës elektorale, dhe duke u kërkuar banorëve të kësaj zone votimin për subjektin politik të preferuar prej tij, Partinë Socialdemokrate të Shqipërisë", njoftoi SPAK. 

Prokuroria e Posaçme thotë se i ka të provuara akuzat edhe me përgjime të bisedave telefonike e vëzhgime. Shkreli u mor zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme më 3 tetor. Në maj, atij iu sekuestrua celulari me vendim të GJKKO-së, ndërsa iu ushtrua edhe kontroll.  Kryebashkiaku socialist ishte në shënjestër të kritikave të Kryeministrit Rama, i cili një javë para votimeve iu drejtua me fjalët: “Kristian, mos luaj më dy porta Kristian”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:53
SPAK e çoi për gjykim, Kristian Shkreli për Report Tv: S'u kam kërkuar banorëve të votojnë Doshin, linjën elektrike s'e bëj unë

1761321524_1747308713kristianshkreli.jfif

Kristian Shkreli

SPAK kërkon nisjen e gjyqit për kryebashkiakun e Partisë Socialiste në Vaun e Dejës, Kristian Shkreli, për korrupsion aktiv në zgjedhje. Sipas SPAK gjatë fushatës se 11 majit, Kristian Shkreli “u ka premtuar dhe ofruar të mira materiale zgjedhësve të fshatit Stajkë, në Bashkinë e Vaut të Dejës, në këmbim të votës për Partinë Socialdemokrate”, të Tom Doshit.

Kryebashkiaku tha për Report Tv, se ndërtimi i linjës elektrike nuk është tagër i bashkisë. 

"Investimi është kryer nga OSHEE. Nuk u kam premtuar banorëve se do u bëj linjën elektrike, sepse nuk kam cfarë linje të bëj unë. Nuk i kam kërkuar banorëve të votojnë për Tom Doshin ..".

SPAK përmend në njoftim zyrtar, se ka edhe përgjime të bisedave telefonike, vëzhgime, etj, por kryebashkiaku Shkreli thotë për Report Tv se në dijeninë e tij janë biseda të banorëve mes njëri-tjetrit, që shprehen se “ia kemi borxh Kristjanit votat”

E vërteta sipas tij, do të dalë edhe nga ballafaqimi me dëshmitarët nëse GJKKO pranon kërkesën e SPAK dhe nis gjyqin.

 “Shpresoj që gjykata të vendosë drejtësi”, u shpreh kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristjan Shkreli për Report Tv