Prokuroria e Kukësit ka dërguar për gjykim penal 50 shtetas të cilët janë kapur duke vjedhur energji elektrike.

Sipas burimeve nga Prokuroria e qyteti veri-lindor mësohet se organi akuzës në Kukës, ka dërguar vetëm sot, kërkesa për gjykim për 50 procedime penale me 50 persona, të akuzuar për "Vjedhje të energjisë elektrike", parashikuar nga neni 137 i Kodit Penal.

Nga personat e pandehur, 5 prej tyre janë administratorë subjekteve private, 2 prej të cilëve janë hetuar në masë "arresti në burg".

Nga hetimi i prokurorisë ka rezultuar se këta persona, në mënyrë të paligjshme, furnizonin lokalet e tyre të shërbimit me linjë elektrike dytësore të fshehtë. Ndërsa pjesa tjetër e të pandehurve janë abonentë familjarë.

Dërgimi në gjykim i një numri kaq të lartë dosjesh për gjykim brenda një ditë është një ndër rastet e rralla në aktivitetin e Prokurorisë Shqiptare.

Aktualisht, Prokuroria e Kukësit vijon hetimin edhe për një numër të madh rastesh për këtë vepër penale. Zona e Kukësit ka një problematikë të theksuar sa i përket lidhjes së paligjshme të energjisë elektrike dhe pagesave të energjisë së konsumuar.

ATSH