Një ceremoni e mbushur me emocione dhe kujtime solli në vëmendje historinë e futbollit kuksian, teksa Bashkia Kukës, me përkujdesjen e kryebashkiakut Albert Halilaj dhe mbështetjen e ish-trajnerit të ekipit “Përparimi” të Kukësit, Selaudin Tabaku, organizoi një aktivitet për të nderuar ish-futbollistët e viteve ’70-’80, si ata që nuk jetojnë më, ashtu edhe ata që janë ende mes komunitetit sportiv.
Në Pallatin e Kulturës u mblodhën ish-sportistë, familjarë, tifozë dhe personalitete të futbollit nga Shqipëria dhe Kosova, për të kujtuar figurat që lanë gjurmë në sportin e qytetit. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili vlerësoi kontributin e brezit që mbajti gjallë futbollin kuksian në periudha të vështira.
Gjatë ceremonisë u dhanë mirënjohje pas vdekjes për emra të njohur të futbollit të Kukësit si Shkëlzen Domi, Mane Meçka, Hikmet Uka, Bajram Katroshi, Lefter Guri, Rakip Kukeli, Luan Maliqi, Bektash Murga dhe Namik Agolli. Në fjalën e tij, Presidenti Duka u ndal te sakrificat dhe pasioni i futbollistëve të asaj kohe, të cilët luanin në kushte shumë më të vështira se sot.
“Për gjithë ata që kanë kontribuar në futbollin e Kukësit, me talentin e tyre, me punën dhe sakrificën e tyre, falënderimi është i dyfishtë. Ata i dhanë emër futbollit kuksian në një kohë kur kushtet nuk ishin aspak moderne”, tha kreu i FSHF-së.
Ai theksoi se ruajtja e historisë sportive është një detyrim për brezat e sotëm, ndërsa investimet në infrastrukturë dhe akademi janë mënyra më e mirë për të ndërtuar të ardhmen e futbollit.
“Duke njohur historinë ne ndërtojmë të tashmen dhe përpiqemi të bëjmë më të mirën për futbollin. Me të njëjtin përkushtim do të vazhdojmë të mbështesim futbollin në Kukës, si në çdo anë të Shqipërisë”, tha Duka.
Sipas tij, stadiumi “Kukësi Arena” nuk është vetëm një impiant sportiv, por një simbol që bashkon komunitetin dhe krijon mundësi për fëmijët dhe të rinjtë që ëndërrojnë futbollin.
“Nuk është thjesht një arenë ku zhvillohen ndeshje futbolli, por një simbol i bashkimit”, u shpreh ai.
Presidenti i FSHF-së shprehu besimin se Kukësi do të rikthehet sërish mes skuadrave elitare të futbollit shqiptar, falë mbështetjes së komunitetit dhe biznesit vendas.
“Dua të falënderoj ata që Kukësin e ngritën në majat më të larta të futbollit. Uroj ta shoh sërish në të njëjtat nivele. Nëse biznesmenët e Kukësit bashkohen, do ta kenë shumë më të lehtë të mbështesin një ekip dhe të realizojnë ëndrrën e kuksianëve për të parë futboll në një stadium modern”, tha Duka.
Edhe kryetari i Bashkisë Kukës, Albert Halilaj, vlerësoi kontributin e brezave të futbollit kuksian dhe falënderoi Federatën Shqiptare të Futbollit për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e sportit dhe investimet në infrastrukturën sportive të qytetit.
Komente










