Rrugët panoramike, shtigjet malore, mikpritja tradicionale dhe peizazhet e paprekura natyrore po e shndërrojnë çdo vit e më shumë verilindjen e Shqipërisë në një destinacion të preferuar për turistët aventurierë.

Kukësi është një prej ndalesave për të huajt, të apasionuar pas natyrës dhe aventurës.

Nga Kanadaja e largët, Zvicra, Gjermania dhe Rumania, janë disa nga  turistët që mund të takosh gjatë këtyre ditëve në rrugët malore të Kukësit.

Ajo që ata vlerësojnë në vendin tonë janë: natyra, njerëzit mikpritës dhe autenticiteti i Shqipërisë.

“Është hera e parë që vij në Shqipëri. Njerëzit janë jashtëzakonisht miqësorë. Na përshëndesin, janë kuriozë dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar. Për Shqipërinë kemi lexuar më parë dhe menduam se ishte koha ta vizitonim. Rrugët janë të mira, peizazhet fantastike dhe padyshim do të kthehemi përsëri. Do t’ua rekomandojmë edhe miqve tanë”, thotë Mark Sanders nga Kanadaja.

“Kjo zonë është e mrekullueshme. Njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe ndihem e sigurt kudo. Më pëlqen ushqimi dhe, edhe pse jam vegjetariane, kam gjetur shumë alternativa që i përshtaten stilit tim të të ushqyerit”, shton Laura Maclean.

“Jemi duke u kthyer në shtëpi dhe rastësisht zbuluam këtë vend. Pozicioni gjeografik është fantastik, malet janë të mrekullueshme për turizëm dhe njerëzit janë shumë të ngrohtë. Rrugët janë të mira dhe natyra është mbresëlënëse,” thotë Raresh Pashku nga Rumania.

“Po shkoja në një market dhe nuk kisha para në dorë. Pronari më tha të merrja atë që më nevojitej dhe të mos shqetësohesha. Kjo më la pa fjalë. Ushqimi është i shkëlqyer dhe pamjet janë të jashtëzakonshme. Nuk shoh diçka negative për turizmin këtu. Gjërat e mira janë të pafundme”, thotë Flavio Bogdan.

Një tjetër trend në rritje janë dhe turistët me kampera familjarë.

“Jetoj pranë Mynihut dhe kjo është hera e parë që vizitoj Shqipërinë. Kemi dy javë pushime dhe po përpiqemi të shohim sa më shumë vende. Kemi qenë në Theth, Valbonë, Liqenin e Komanit, Fierze dhe tani në Kukës. Njerëzit janë shumë të mirë dhe mikpritës. Infrastruktura është ende në zhvillim, por mendoj se në vitet e ardhshme do të përmirësohet ndjeshëm”, shprehet turisti gjerman Harold Müller.

Rrugët malore, peizazhet spektakolare, ushqimi tradicional dhe mikpritja e banorëve po e kthejnë veriun dhe verilindjen e Shqipërisë në një nga destinacionet më tërheqëse për ata që kërkojnë të zbulojnë Shqipërinë autentike, larg turizmit masiv dhe pranë natyrës së egër.