Kukësi nuk ka arritur të përfitojë nga ndalesa e Partizanit për të zgjuar shpresat për titull pasi verilindorët janë ndalur në barazim pa gola kundër Teutës në javën e 31 të Superligës. Në takimin e luajtur në Kamzë verilindorët e Gjokës ishin më kërkues, madje shpërdoruan edhe raste flgrante. Për t’u veçuar ishte edhe kartoni i kuq në fund të lojës për Teutën, por që nuk pati ndikim në rezultat.
Në fund të dy skuadrat ndanë pikët, me Teutën që mbeti më e kënaqur pasi ky barazim vjen pas 3 humbjesh radhazi pa llogaritur fitoren në tavolinë me Kamzën. Ndërkohë Kukësi shkon në kuotën e 52 pikëve, 10 më pak se Partizani kur kanë mbetur edhe 6 javë kampionat.
Sfida tjetër e orës 16:00, e cilësuar si beteja e mbijetesës mes Luftëtarit dhe Tiranës është mbyllur në barazim me shifrat 1-1. Në Gjirokastër bardheblutë e mbyllën pjesën e parë në avantazh falë golit me penallti të Hasanit, por gjithsesi nuk arritën të dilnin me pikë të plota nga ky takim pasi në pjesën e dytë vendasit barazuan me Rapon.
Pas 31 javësh Luftëtari renditet në vendin e shtatë me 39 pikë, 2 më shumë se Tirana e vendit të tetë dhe 4 më shumë se Kastrioti i vendit të 9.