Kuliçaj boshatisi zyrën, mori
edhe kolltukët e bardhë Versace

Kuliçaj boshatisi zyrën, mori<br />edhe kolltukët e bardhë Versace
TIRANE- Jehona e dorëheqjes së paralajmëruar të Agron Kuliçaj nga Policia e Shtetit, vazhdon ende, pasi edhe kur kanë kaluar më shumë se një muaj e gjysmë, dalin të tjera fakte nga kjo “ceremoni”.

Ish-nëndrejtori i Policisë së Shtetit, cilësohej me të drejtë edhe si kreu i kësaj policie, pasi kishte të gjithë mbështetjen politike, por edhe të vartësve të tij, disa prej të cilëve i bindeshin se ishin besnikë dhe të tjerë nga frika. Megjithatë, kjo frikë është larguar nga kupola e policisë, ku tashmë kanë filluar edhe të dalin të gjitha detajet e dorëheqjes. Burime të konfirmuara nga policia thanë se personat që kanë bërë inventarin nga zyra e Kuliçajt kanë mbetur të befasuar. Ata kanë gjetur zyrën bosh, pa orendi, ndërsa të gjitha sendet ishin hequr.

Natyrisht, për tetë vite me radhë, Kuliçaj e kishte mobiluar zyrën në ish-hotel Arbana sipas stilit të tij, me mobilie të shtrenjta dhe të kohëve të fundit. Burimet pohojnë se në zyrën e Kuliçajt kanë qenë edhe disa kolltukë Versace, ndërsa nuk dihej pronësia.

Pas verifikimeve në zyrë, rezultoi se këto kolltukë ishin hequr dhe marrë. Ka dyshime se këto orendi janë marrë disa ditë para se mazhoranca aktuale të vinte në pushtet. Madje, në atë kohë, deputeti socialist Taulant Balla shkruante se “Kuliçaj ka marrë të gjitha orenditë nga zyra, që nga kolltukët e deri tek pikturat”.

Megjithatë, ky veprim, për policinë nuk është shkelje e ligjit, pasi nga verifikimet, rezultoi se këto orendi nuk ishin në inventar të policisë. Ka informacione se ato ishin dhuratë për ish-nëndrejtorin e policisë dhe ndoshta mund të përdoren në shtëpinë e tij, apo në zyrën që mund të marrë në të ardhmen ish-truproja e Sali Berishës gjatë viteve 1998-2005. Tashmë, me asnjë post, Kuliçaj ka humbur edhe betejën ligjore me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, në Gjykatën e Tiranës. Kjo e fundit rrëzoi kërkesën e Kuliçajt për dëmshpërblim për fyerje dhe shpifje që kishte bërë ish-nëndrejtori i policisë.

Marre nga gazeta Shqip
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Konjufca ngre alarmin: Qindra njerëz në Serbi po stërviten për një sulm në Kosovë

Konjufca ngre alarmin: Qindra njerëz në Serbi po stërviten për një sulm në Kosovë