Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot lidhur me debatin për ndërtimin e godinës 65 katëshe pas Teatrit të Operas dhe Baletit e quajtur “Mali i Tiranës”. Përmes një shkrimi të postuar në faqen e tij të facebook mëngjesin e sotëm kryeministri i quan akuzat për ndërtimin e kullës ikonike, ‘kunja të vjetra, gozhda inatesh, vida xhelozish e jargë zilie’
Ai i përgjigjet tërthorazi edhe akuzës se korrupton opozitën, duke thënë se nuk ka nevojë që t’iu hedhë kocka, se tani atyre s’iu ka mbetur më asnjë dhemb që ta kërcënojnë.
Partisë Demokratike dhe shoqërisë civile, që përgjatë këtyre ditëve të zhurmshme të gushtit politik, pati kryefjalë të akuzave dyshimin se kulla ishte shpërblim për Foltoren, Edi Rama i rezervon një përgjigje të gjatë, duke ironizuar përpjekjet e tyre për ta lidhur ndërtimin e kullës me prapavijën politike.
Ndër reshta nuk lë pa shpotitur as Bashën i cili pak ditë më parë dorëzoi në SPAK kallëzimin penal.
"Fillimisht një grupth që endet nëpër Tiranë me misionin e shpëtimit të Shqipërisë nga murtaja kapitaliste, u mblodh tek rrethimi i kantierit për të vënë kujën e tij karakteristike të kundërshtisë qorre, duke hedhur pjesën e vet të baltës rreth hurit të mullarit të ri, ku shumë shpejt nxituan të turren plot nga të zakonshmit e këtyre rasteve; ca të pagjumë nga drejtësia e re që po u rrethon trojet e xanuna të jetës së tyre publike pa atdhe, din e iman; ca të vrerosur nga dështimet e njëpasnjëshme të revolucioneve të dhunshme, që i plakën kanal më kanal e portal më portal, po s’erdhën kurrë; ca me vulë, ca pa vulë e ca me vulëasvulë, mes të cilëve edhe ndonjë derdimen i sapozgjuar, me bluzën e jeshilosur nga djersa e gjumit të stërgjatë, ama me flokët pikë, njësoj si në çastin kur u zhduk nën jë në hyrje të verës së shkuar, plus ndonjë pinjoll i përcëlluar, si thëngjill ende i pazbuluar në nëntokat e xanuna, po edhe ndonjë tjetër akoma, pa lidhje fare me këta, që i’u turr projektit të kullës, si të ishte hartë e vjetër romake që të çon tek zbulimi i një thesari, krijuar këtë herë nga një konspiracion i madh financiar, me prapavijë konsensuale politike, i cili orkestrohet nga kush tjetër, përveçse nga unë dora vetë, që u hidhkërkam kocka kundërshtarëve nga frika se mos më kafshojnë me gojën e tyre të mosozotshme, ku thuajse s’ka mbetur asnjë dhëmb" shkruan Rama.
Edhe padinë e dorëzuar në SPAK nga Partia Demokratike e quajti letër anonime që i mbërrin drejtësisë në një kohë kur po merret me çështje serioze të korrupsionit e krimit të organizuar.
"U ngrit rrufe edhe padia e radhës për SPAK-un, e cila tanimë është bërë patatja dhe gjella e çdokujt që ka një gur për të hedhur, një dorë për të fshehur a një kunjë për të nxjerrë, duke e detyruar organin më të fuqishëm të akuzës në vend, që për shkak të një legjislacioni të mbingarkuar mbi shpinën e tij, të merret edhe me letrën e fundit anonime, ndërkohë që i ka duart e zëna seriozisht me patate gjithnjë e më të nxehta të korrupsionit dhe krimit të organizuar"
Lajmi kryesor:
Rama thyen heshtjen për gradaçelën: ‘Mali i Tiranës’ do të ndërtohet! Projekti fitues nuk pati kontestim, sot përbaltet! 'Halli’ im, vizioni zhvillues i Shqipërisë
Kreu i PD-së, Lulzim Basha i është përgjigjur kryeministrit Rama për kullën Mali i Tiranës. Basha thotë se një zgjidhje është Vettingu në politikë të cilën PD e ka propozuar shumë herë.
“Sa më shumë zgjatet lista e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë që janë në burg, arrati apo nën hetim për shkak të makutërisë me të cilën është mbrujtur qeverisja e tij, aq dhe më të gjata bëhen hartimet e Ramës. Por atë që nuk e thotë dot me pak fjalë, nuk ka shans ta mbulojnë fjalët shumë e për lumë.
Meqë mali i korrupsionit në qendër të Tiranës i duket si një “mullar balte”, ka një zgjidhje shumë të thjeshtë për të ndarë të vërtetën nga balta: Veting në politikë.
Kur është i mirë për gjyqtarët, prokurorët, policët, pse të mos jetë i tillë edhe për politikanët?!
Propozimi i Partisë Demokratike është në Parlament, mjafton vullneti politik për ta miratuar. Me këtë rast u kursejmë qytetarëve andrallat e njëpasnjëshme të cirkut 33 vjeçar, pas të cilave fshihet frika nga e shkuara e atyre që ndonëse e kërkojnë votën për t’i shërbyer njerëzve, i kanë shërbyer vetëm interesave personale dhe klientelës oligarkike.”- shkroi Basha.