Kullat karakteristike të Veriut pritet të hyjnë në një fazë të re restaurimi dhe rijetëzimi. Lajmin e konfirmoi ministri i Kulturës Blendi Gonxhja përmes një postimi në rrjete sociale ku tha se Programi Kombëtar për Rijetëzimin e Kullave të Veriut, po finalizohet në bashkëpunim me GIZ dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, me objektivin që brenda vitit 2027 të kalohet nga faza e evidentimit dhe projektimit te investimet konkrete për restaurimin dhe rijetëzimin e tyre.
Një nga proceset që po ecën paralelisht është formalizimi i pronësisë së kullave. Sipas Gonxhes, deri tani janë trajtuar 697 raste në Dibër, Shkodër, Lezhë dhe Kukës, në mënyrë që objektet që do të përfshihen në program të kenë bazën e nevojshme juridike për trajtim dhe financim.
Nga këto raste, 180 kanë përfunduar me vendim ose janë pajisur me certifikatë pronësie, 50 raste rezultojnë të certifikuara më parë, 73 janë në pritje të plotësimit të dokumentacionit, 175 raste të tjera rezultojnë pa aplikim, ndërsa 6 janë në proces afishimi.
Paralelisht ka nisur edhe përgatitja teknike e ndërhyrjeve. Në bashkëpunim me Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit Politeknik të Tiranës janë hartuar 28 projekte konceptuale restaurimi, të cilat do të shërbejnë si modele për ndërhyrjet konkrete.
Sipas ministrit, hapi i radhës do të jetë përcaktimi i listës së objekteve prioritare. Fillimisht do të përzgjidhen 64 kullat me status Monument Kulture, kullat që janë në rrezik, si edhe ato për të cilat procesi i pronësisë ka përfunduar ose është pranë përfundimit.
Për këto objekte do të parashikohet mbështetje e drejtpërdrejtë buxhetore, me fokus restaurimin e plotë dhe rijetëzimin e tyre. Synimi, sipas Gonxhes, është që krahas restaurimit, kullave t'u jepet edhe një funksion konkret, si bujtina, agroturizme, muze apo qendra mikpritjeje, në mënyrë që investimi të gjenerojë aktivitet ekonomik dhe turistik.
Postimi i plotë i Gonxhes
"Tjetër lajm i mirë për trashëgiminë dhe zhvillimin e Veriut të Shqipërisë! Së bashku me GIZ dhe ASHK po finalizojmë Programin Kombëtar për Rijetëzimin e Kullave, me synimin që brenda vitit 2027 të kalojmë nga evidentimi dhe projektimi në investime konkrete. 697 raste pronësie të trajtuara në Dibër, Shkodër, Lezhë dhe Kukës; 28 projekte konceptuale restaurimi, hartuar me Fakultetin e Arkitekturës të UPT-së; 64 kulla me status Monument Kulture në fokus të prioritizimit. Kullat do të restaurohen dhe rijetëzohen me funksione të reja si bujtina, agroturizme, muze dhe qendra mikpritjeje, duke ruajtur trashëgiminë tonë e duke krijuar mundësi të reja për ekonominë dhe turizmin lokal. Nga kujtesa historike, në asete të gjalla të zhvillimit të Veriut" shkroi Gonxhja në rrjete sociale.












Komente
Komento