Punimet për restaurimin e banesës së Faik Konicës, në fshatin Konicë të Greqisë, pritet të nisin së shpejti. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, pas një takimi bilateral me ministren greke të Kulturës, Lina Mendoni, në Bashkinë e Prespës.
Sipas Gonxhes, Ministria e Kulturës e Greqisë ka konfirmuar se banesa e Faik Konicës ka marrë statusin e objektit me vlerë historike dhe kulturore, ndërsa janë siguruar edhe fondet për restaurimin e saj.
"Së shpejti nisin punimet për restaurimin e banesës së Faik Konicës, në fshatin Konicë në Greqi. Ky është një lajm i rëndësishëm për trashëgiminë dhe për ruajtjen e kujtesës së një prej figurave më të shquara të mendimit, letërsisë dhe diplomacisë sonë. Ministria e Kulturës së Greqisë ka konfirmuar se banesa ka fituar statusin e objektit me vlerë historike dhe kulturore dhe se janë siguruar fondet për restaurimin e saj. E falënderova homologen greke për përgjigjen konkrete dhe për angazhimin në mbrojtjen e kësaj pasurie. Ky është një rezultat i rëndësishëm i bashkëpunimit dhe respektit mes dy vendeve tona, që i jep trashëgimisë kulturore vendin që meriton në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë" u shpreh ministri.
Gjatë takimit me homologen greke dhe ambasadoren e Shqipërisë në Athinë, Luela Hajdaraga, u diskutua edhe për avancimin e marrëveshjes për rikthimin në Shqipëri të dy objekteve arkeologjike të Butrintit, të sekuestruara në Greqi që prej vitit 2002, si dhe për forcimin e bashkëpunimit kundër trafikimit të paligjshëm të pasurive kulturore.
Në bisedime u trajtua gjithashtu mundësia e mbështetjes nga pala greke për restaurimin e Kishës së Shën Nikollës në Mesopotam dhe pikturave murale të saj.
Palët diskutuan edhe zgjerimin e Memorandumit të Bashkëpunimit të vitit 2022 për të përfshirë kërkimet dhe gërmimet arkeologjike në Parkun Arkeologjik të Finiqit, restaurimin e ikonave dhe objekteve të trashëgimisë kulturore, si dhe organizimin e trajnimeve profesionale për restauratorët në Selanik. Në fokus ishte edhe bashkëpunimi mes teatrove dhe operave kombëtare të Shqipërisë dhe Greqisë përmes projekteve dhe shkëmbimeve të përbashkëta.












Komente
Komento