Kulluri: Vetëm inteligjenca e Berishës mund të shpëtojë PD

Pas Edith Harxhit, një tjetër anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike ka deklaruar se partia më e madhe opozitare në vend ka nevojë për pjekurinë dhe inteligjencën e ish-kryeministrit Sali Berisha. Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Edvin Kulluri, ka deklaruar në studion e Report Tv, në emisionin ’45 minuta’ të gazetarit Denis Minga, se PD ndodhet në gjendje emergjente dhe në pikën e saj më të ulët historike.

“Karizma e Berishës i mungon PD, kurajoja e tij, inteligjenca dhe intuita, pjekuria e Berishës i mungon sot PD. Mund të jetë një opsion dhe rikthimi i Berishës. Unë do isha për një strukturë ad hoc për ta nxjerrë partinë nga emergjenca”, tha Kulluri.

Më tej, Edvin Kulluri hodhi akuza të forta ndaj kryetarit të PD, Lulzim Basha, teksa tha se po e çan përfundimisht partinë.

“Basha është para dy alternativave: ta çajë përfundimisht PD, ose ta zvogëlojë përfundimisht partinë. Ky kuvend nuk ka asnjë lloj reflektimi për situatën, ku partia pasi del në opozitë humbet edhe më keq. Askush nuk e di se çfarë pune bën. Nuk ka asnjë shkresë, asnjë protokoll kush është ky grup dhe çfarë do bëjë. Partia nuk drejtohet me biseda kafenesh. Partia ka norma, merr formë juridike. Nuk merret vesh çfarë u votua për vendime. Nuk ka klimë për bashkim”, deklaroi ai në studion e Report Tv.

Sa i takon Kuvendit të PD ër statutin e partisë, Kulluri deklaroi se me shumë mundësi nuk do të mblidhet në muajin prill, duke sqaruar se ky do të ishte një Kuvend i parregullt dhe antistatutor, pasi mbledhja e radhës është nga muaji shtator e pas.

“Kongresi me shumë mundësi nuk do të mblidhet. Nuk është një Kuvend i radhës, i radhës është nga shtatori e pas. Përderisa është një Kuvend jashtë radhe nuk mund të miratojë statutin e partisë. Ky është Kongres i parregullt, është antistatutor", theksoi Kulluri.

Qëndrimi juaj radikal ...
Ka një iniciativë për ngritjen e PD. Ka një propozim për statut të ri. Dhe partiakët shumë të vjetër, një grup i madh njerëzish, që refuzojnë këtë mënyrë të funksionimit të PD. Këtu nuk është Basha përballë një grupi, lideri përballë armiqve. Ne jemi kundër mënyrës si drejtohet partia.

Unë e kam mbështetur Bashën, sepse mendoja se do të bashkonte partinë. Ndërsa sot ngre pikëpyetje të madhe ‘çfarë është e djathta?’ Ka disa shtresa elektorale brenda partisë, ata që janë me Bashën janë njerëz që nuk përfaqësojnë asnjë nga këto grupe, por që po shohin interesat e tyre të karrierës brenda partisë. PD sot është katandisur. Basha na ka drejtuar me sukses drejt një humbjeje katastrofike dhe nuk mori asnjë përgjegjësi. Ai nuk iku, e ka uzurpuar karrigen e kryetarit.

Si dilet nga kjo situatë?
Kjo është çështje që ka të bëjë me pamundësinë e opozitës për të rrëzuar këtë qeveri. Basha ka treguar gjithë kapacitetet dhe pamundësinë e tij për të qenë rival i denjë. Partia nuk funksionon në mënyrë demokratike, ndaj dhe shqiptarët nuk na votojnë.

Rikthimi i Berishës zgjidhje ...?
Thirrja e Harxhit ka të bëjë me modelin e kundër të dështimit të Bashës, atë që ka qenë modeli i Berishës. Ai ka qenë në krye të dy fitoreve. Nuk ka politikan pa hije, vetëm Zoti është prefekt. Karizma e Berishës i mungon PD, kurajoja e tij, inteligjenca dhe intuita, pjekuria e Berishës i mungon sot PD. Mund të jetë një opsion dhe rikthimi i Berishës. Unë do isha për një strukturë ad hoc për ta nxjerrë partinë nga emergjenca.

Kjo strukturë të përfaqësonte gjithë ndjeshmëritë që janë sot. Bashës i mungon vullneti për ta zgjidhur këtë, duhet një zgjidhje emergjente. Ne rrezikojmë në zgjedhje të fitojmë 5-6-7 bashki dhe kjo do të ishte katastrofë. Ky është realiteti sot, PD nuk tërheq vëmendje sot, bën vetëm ca deklarata në Facebook që nuk kanë përmbajtje dhe nuk japin zgjidhje konkrete.

Ka pesë ditë që nuk flitet për kokainën dhe çuditërisht as Rama nuk flet më për lobimin. Ka një harmoni të çuditshme. Është përmbytur gjithë Shkodra dhe asnjë nuk ka shkuar. Çfarë ka bërë PD, ku është opozita në Shkodër? Në kohën e Berishës gjithë qeveria u zhvendos në Shkodër. Në KQZ nuk pati asnjë ankesë për vjedhje votash, Berisha çonte dosje në Bruksel, mijëra faqe dokument.

Çfarë kuptimi do kishte për Bashën të ishte shtojcë e Ramës?
Ka një dyshim të madh për marrëveshjen e bërë vjet, nuk kam prova. Thelbi është se ka paqëndrueshmëri  në aksionin politik, ka përgjumje të mëdha. Ose lideri Basha ka probleme me kujtesën afatshkurtër dhe këtë nuk e besoj, ose ka sklerozë politike ose bën sikur ka sklerozë. Asnjë fjalë në KQZ, asnjë raport në Bruksel, ministrat teknikë dolën ashtu siç hynë, nuk u mor vesh çfarë bënë. Në 2015 patëm rritje të PD, ndërsa në 2017 pati rënie. Basha nuk mban asnjë përgjegjësi për këtë.

Pati akuza ndaj jush si sabotatorë ...
Të gjithë e kemi votuar PD, sepse kemi detyrim. Të gjithë ata që akuzohen janë njerëz që nuk ju caktua asnjë rol për të luajtur në fushatë. Rolin në fushatë e ka kryesia e partisë, kryetari dhe kandidati për deputet. Ky grup parlamentar që është sot bashkë me Bashën ka përgjegjësi sot. Ky është një grup parlamentar shumë i dobët, ku përjashto Berishën, fjalimet e Shehit dhe 4-5 deputetë që kanë pak eksperiencë, pjesa tjetër janë njerëz të zakonshëm. Kështu qeveriste Enver Hoxha, teknika arbitrare e drejtimit të partisë të çon këtu, janë praktikat më të shëmtuara të asaj kohe.

Struktura ad hoc, çfarë do bëjë dhe kush do ta drejtojë?
PD nuk po shkon dot drejt bashkimit. Berisha e tha qartë që partia duhet të bashkohet. Basha nuk po e bën këtë, partia është e përçarë. Votat që ka humbur PD kërkojnë përfaqësim. Kjo pjesë e elektoratit nuk është e përfaqësuar. Një zgjidhje është ajo që jep Harxhi, një tjetër është krijimi i një grupi për të nxjerrë PD nga kjo situatë dhe pse të mos jetë Berisha në krye.

Këtu kërkohet pjekuria dhe karizmi i Sali Berishës. Berisha nuk ka rol institucional sot, përveçse është deputet. Sot kërkohet një zgjidhje emergjente dhe pjekuria e Berishës do ta qetësonte situatën. Është një mundësi që PD të krijojë kushtet për t’u bashkuar.

Thirrja ndaj Berishës e Harxhit është sepse besimi te Basha dhe gjendja e PD është në pikat e saj më të ulëta historike. Pakënaqësia popullore është e madhe, disa çështje janë përkeqësuar.

Ne kemi dy probleme, sistemin e drejtësisë, që do të përkeqësohet, dhe problemin e pronës. Berisha, Nano janë munduar ta çojnë Shqipërinë përpara. Por, çfarë ndodh sot? Qeverisja e Berishës nuk ka të krahasuar me qeverisjen e Ramës. Çfarë reformash ka bërë kjo qeveri? PS nuk është rritur në votë, por ka rënë numri i votuesve.

Aleancë me LSI?
PD dhe LSI nuk e mundin dot PS me shifrat që kemi sot. Ka një specifik me kandidaturat e LSI në zgjedhjet lokale. Në zgjedhjet lokale bashkitë e mëdha nuk i zgjedhin kandidatët e LSI. Duhet të rritet aq shumë e djathta sa të largojë këtë problem. Problemi është nëse do ketë rritje të PD. Sondazhet tregojnë të kundërtën.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ngjarja më e pabesueshme dhe e jashtëzakonshme, në një Krishtlindje

Ngjarja më e pabesueshme dhe e jashtëzakonshme, në një Krishtlindje