Kosovarët dëshmuan se kanë kulturë politike. Si kurrë më parë hajnat në politikë duken të strukur, veshëskuqur dhe të turpëruar. Qofshin të gjithë edhe një muaj më vonë e përgjithmonë, në këtë pozitë e kaq pak hajna

13 vjet më parë u ndeshëm së pari herë me mungesën e kulturës politike, me nevojën për ta bërë atë, me mllefin se pse ka munguar gjithnjë.

Secili donte të dalë në krye të radhës; me bërryla, me shpatulla, këmbë e duar shtyheshin “të vonuarit” e këtij cepi ballkanik për ta kapur ëndrrën, pa u shtrirë për tokë me plumb në trup, pa u vrarë, pa u grilëzuar, pa u humbur për të mos u gjetur kurrë më.

Dy gishtat përpjetë në formë të V-së dhe parulla “liri-demokraci” ishin kthyer tashmë në shenjën që paralajmëronte një epoke të re, asaj që me laps diktonte zgjedhjen dhe pranimin e një lideri.

Kolonat ishin të gjata, njësoj si ato kolonat e protestave dhe demonstratave të dikurshme. Zgjedhjet në mijëvjeçarin e dytë të epokës së re të njerëzimit, qenë zgjedhjet e para të lira të kësaj toke që konsiderohet të jetë një zonjë e vjetër.

Zgjedhjet e 13-s së mijëvjeçarit të dytë, përtej procesit që po cilësohet si i suksesshëm, qoftë edhe vetëm në atë pjesë të territorit të banuar me shqiptarë, dëshmojnë se ky vend megjithatë ka krijuar më në fund kulturën e tij të votimit. I fortë u bë apeli “mos vidhni!”.

Ai ishte aq i zëshëm saqë shefat e partive na dukeshin veshëskuqur, ashtu sikur tërë kohën ta kalonin të ngrehur për veshi, nga turmat e nga tuta. Dukej sikur parullën “mos vidhni” ta kishin të gdhendur në ballë.

Prandaj nuk nevojitet analizë shumë e thellë për të ndier e përjetuar se zgjedhjet dolën të suksesshme për shkak të vendosmërisë së masave për të demonstruar vullnetin e tyre kundër vjedhjes.

Mobilizimi kundër vjedhjes jo vetëm të votës nga ana politika ishin shtylla, akrepi dhe finalja e këtyre zgjedhjeve. Edhe të huajt tashmë vendorë, instancat prezente ndërkombëtare ua ngrehën dhe ngrehin vazhdimisht veshët politikanëve dhe liderëve që ditëve të fundit, për nga pamja, të shtynë në autokritikë, në mëshirë, në mos u kemi hyrë në hak. Por jo!

Një armatë e tërë emisarësh ndërkombëtarë vëzhguan për të përjetuar nëse partitë, politikanët do t’u përmbahen ligjeve që kishin nënshkruar vetë, për rregull, liri dhe korrektësi gjatë votimit. Dhe po na del që ky sukses, ky votim plot kulturë, të jetë suksesi më i madh në historinë e zgjedhjeve në Kosovë, dhe kjo për sot e tash duhet të mjaftojë.

Proceset e avancuara zgjedhore, ato që kanë të inkuadruar votën me kusht, njëherë për njëherë janë një luks. Kosovarët që sillen botës si nomadë, mund të blejnë një biletë udhëtimi e të gjuhen në Kosovë, ata që janë në burgje a nëpër shtëpi shëndeti le të shohin ëndrra. Të fundit, të vdekurit, mund të jenë edhe më me fat: disa prej tyre mund të mbesin votues të përjetshëm!

Atmosfera e ndoshta edhe ndjesia në këtë të diel nëntori ishte tjetër. Fushatat zyrtare dhe fushatat në rrjetet sociale, miqtë e të njohurit i urdhëronin njëri-tjetrit: Dil voto! Mos lejo me ta vjedh votën. Aty ishte thelbi: të mbrohet vota nga vjedhësit e fatit, e të nesërmes më me dritë kosovare. Gjersa bota normale voton për të zgjedhur Kosova del e zgjedh për të mos vjedhur! Ndoshta kështu të gjithë njëherë ia kanë nisur, pra as ne nuk jemi më të krisur. Mirë që ndodhi ky sukses, ky fillim që dhënçin perënditë e nuk do të jetë vetëm “na ishte njëherë”.

Historiku i mbërritjes deri te ky kulm qytetar i zgjedhjes ka nisur më herët: ai ka nisur që ato ditë kur për shkak të nënshkrimit të dokumentit që shënonte refuzimin dhe rezistencën, dukej se radhët e gjata të kolonave nuk do të mbaronin kurrë. Atëherë, gjatë vitit 1992, kur kosovarët, ndonëse pa karrige dhe pa kuvend, zgjidhnin deputetët dhe qeverinë në ekzil. Kulturat politike qenë tjera, siç qe tjetër edhe shpresa politike në vitin 2000.

Tjetër ishte edhe në vitin 2002, 2004, 2007, 2009. Të gjitha bartin në vete një specifikë të veten: janë quajtur- të parat e qeverisë në ekzil, të parat pas luftës, të dytat pastaj, të parat sërish, pas shpalljes së pavarësisë, të parat me përfshirjen e komunave veriore, duke të krijuar bindjen se çdoherë e në secilat zgjedhje do të ketë diçka “të parë”. Njëzetë vjetët e zgjedhjeve të ligjshme e të paligjshme në Kosovës kanë krijuar megjithatë një temp, një zhvillim, një kulturë politike.

Të dielën ranë edhe kambanat e kishës edhe u bënë ezanët islame për lutje. Dhe qytetet në Kosovë pos që të ndara në parti, do prej tyre janë ndarë edhe në terma që përcaktojnë fenë. Deri në këtë masë është shpifur debati dhe gjykimi nëse njerëzit me emër mysliman do të votojnë një mysliman, derisa ata që kanë emra të katolikëve të krishterë do të votojnë një që mban emër katoliku.

Me gjasë qyteti në kufi me Shqipërinë ka rënë pre e kësaj, siç të tjerë, kush më shumë o më pak, kanë rënë pre e debateve ‘normale’ në kohë lufte politike.

Në kulturat e mëdha, sezonin e zgjedhjeve mund ta gjesh vetëm nëse do, po s’e deshe, vështirë ta kuptosh se në ç‘atmosferë politike je. Për ne, kjo duket e pamundshme tash për tash.

Të humburit po ankohen pafund, dhe do të ankohen edhe një muaj më vonë, ndërkaq fituesit, që deri sot, gati të gjithë e kanë shpallur veten të tillë, do të festojnë gjatë. Qofshin të gjithë edhe një muaj më vonë e përgjithmonë, kaq pak hajna.

Marrë nga "Zëri"