Pas incidentit të ndodhur dy ditë më parë në Kavajë, ku një ish-militant i PD u sulmua fizikisht nga mbështetësit e Lulzim Bashës vetëm sepse kishte guxuar të mbronte publikisht punët e bëra nga ish-kryebashkiaku socialist Roshi, sot skena u përsërit gjatë seancës së Komisionit Hetimor parlamentar për çështjen CEZ.

Nënkryetari Arben Ristani i PD i mbylli me forcë mikrofonin kryetarit të Komisionit Taulant Balla për ta ndaluar të vazhdonte të fliste.

Të dy episodet nxjerrin në pah aspektin më të keq, të cilin, gjatë viteve në pushtet dhe në opozitë, Partia Demokratike e Sali Berishës nuk ka mundur kurrë ta kapërcejë: urrejtjen dhe intolerancën ndaj kujtdo që mendon ndryshe nga ata. Ata që paraqiten në sytë e publikut (dhe të komunitetit ndërkombëtar) si kampionët e lirisë, në fakt tregojnë edhe një herë se janë një forcë e prapambetur, e dhunshme dhe thellësisht joliberale. Po të ishim në kohën e Enver Hoxhës, sot Taulant Balla do të ishte arrestuar me urdhër të prokurorit Ristani dhe ai protestuesi i Kavajës do të ishte pushkatuar, të dy fajtorë për “agjitacion e propagandë” kundër regjimit. Për fat të mire, kohët kanë ndryshuar, por instikti për t’i mbyllur gojën kundërshtarit ka mbetur i pandryshuar për partinë “demokratike”.

Kultura staliniste, që Sali Berisha u ka transmetuar pasuesve të tij, është e shprehur në mënyrë të përsosur në ato dy gjeste dhune e intolerance ndaj rivalëve të vet politikë.

Për fat të keq, as shok-u i 21 janarit, kur policia e Berishës hapi zjarr kundër protestuesve, duke vrarë katër opozitarë të paarmatosur, nuk mjaftoi për ta bërë të evoluojë kulturën politike të së djathtës shqiptare. Intoleranca dhe urrejtja e verbër vijojnë të gjallojnë nën hi dhe, në rastin më të parë, shpërthejnë në sjellje të turpshme.

Një sinjal shumë i keq ky, më pak se tri ditë nga protesta e 18 shkurtit, kur opozita përgatitet të zbresë në shesh pa një motiv të vërtetë e të qartë, me përjashtim të mbajtjes gjallë së ëndrrës, të cilën Berisha e sheh që nga 14 qershori 2013: të bëjë të rrëzohet qeveria me çdo kusht, për t’u kthyer në krye të regjimit “të tij”. 

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com