Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro priti në një vizitë zyrtare në Tiranë Ministrin e Mjedisit dhe Energjetikës të Greqisë, Kostandinos Krekas. Të dy ministrat diskutuan për zonat e përbashkëta të mbrojtura, siç është Parku Kombëtar i Prespës dhe lumi i Vjosës që së fundi u shpall Park Natyror, si edhe sfidat në menaxhimin e mbetjeve.
Ministrja Kumbaro e njohu homologun grek edhe me nismën e fundit për ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshe.
“Nga 1 qershori i këtij viti ndalojmë qeset plastike njëpërdorimshe, me trashësi 70 mikron në secilën anë. Nismat e mëparshme që bazoheshin në aplikimin e një pagese simbolike për qeset nuk kanë rezultuar të suksesshme, ndaj kemi shkuar drejt këtij hapi që është mirëpritur nga qytetarët”, tha gjatë takimit Kumbaro.
Ndalimi i qeseve u vlerësua nga ministri Krekas, i cili tha se diçka e tillë do të merret në konsideratë për t’u aplikuar edhe në Greqi, ku po ashtu shpërndarja e qeseve të lehta mbajtëse përbën një problem mjedisor.
“Aktualisht prodhojmë 5 milionë ton mbetje në vit, prej të cilave riciklohen vetëm 20%. Po angazhohemi që ta rrisim volumin e mbetjeve që riciklohen, pasi duam të reduktojmë sasinë e mbetjeve dhe të orientohemi drejt ekonomisë qarkulluese. Një qasje e tillë ndihmon edhe turizmin e qëndrueshëm, miqësor me mjedisin”, tha Krekas.
Në vijim të bisedës, ministrja Kumbaro u shpreh gjatë takimit se sipërfaqja e zonave të mbrojtura është rritur në 21% dhe po punohet që deri në vitin 2030 të arrihet në 30% të territorit si zonë e mbrojtur.
“Dy prej objektivave kryesorë të këtij mandati të tretë qeverisës janë mjedisi dhe turizmi. Kemi sfidën e menaxhimit të mbetjeve, për të cilën kemi nisur që në tetor një Plan Kombëtar Pastrimi. Njëkohësisht po punojmë për zgjerimin e zonave të mbrojtura. Për herë të parë i dhamë në janar lumit të Vjosës statusin e Parkut Natyror, ashtu siç bëmë edhe me zona të tjera në Shqipëri, duke e rritur sipërfaqen e zonave të mbrojtura nga 17% në 21%. Jemi tërësisht të angazhuar për të plotësuar objektivin e mbrojtjes së 30% të territorit brenda vitit 2030”, u shpreh Mirela Kumbaro.
Të dy ministrat ranë dakord për të pasur një takim tjetër me stafet respektive, në kuadër të planeve të përbashkëta për zonat e mbrojtura ndërkufitare, shkëmbimet e eksperiencave në çështjet e menaxhimit të integruar të mbetjeve dhe pjesëmarrjen në projekte të përbashkëta në kuadër të nismave globale që lidhen me ndryshimet klimatike.
Po Mirela eshte mesuese frengjishteje. C'lidhje ka ajo me turizmin?
Përgjigju