Kumbaro paguan 65 mijë euro për
Shqipërinë në Bienalen e Venecias

Kumbaro paguan 65 mijë euro për<br />Shqipërinë në Bienalen e Venecias
TIRANE- Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka prezantuar sot gjatë një konference për shtyp artistët pjesëmarrës, që do të përfaqësojnë vendin tonë në edicionin e 14-të Ekspozitës Ndërkombëtare në Binalen e Venecias. Të pranishëm në konferencë ishin edhe artistët pjesëmarrës Adrian Paci dhe Edi Hila. Shqipëria do të marrë pjesë me pavijonin e saj të titulluar “Potential Monuments of Unrealised Futures” (Monumente të Mundshëm Ardhmërisht të Parealizuara).

Edi Hila” do të prezantohet me një seri pikturash të quajtur “Penthouse)” Shtesat”) dhe Adrian Paci me një video-instalacion të quajtur “The Column“ (Kolona). Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë eveniment, vjen me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Këshillit të Ministrave.

Në fjalën e saj Ministria Kumbaro u shpreh se “kjo ngjarje, që do të ndodhë së shpejti, ka një vlerë mjaft të madhe”. I madh ka qenë dhe kontributi financiar për pjesëmarrjen. U deklarua se 65 mijë euro janë paguar nga Ministria e Kulturës dhe Këshilli i Ministrave për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bienalen e famshme të Arkitekturës në Venecia. Si një prej aktiviteteve më të rëndësishëm promovues të artit, edicioni i 14-të i kësaj Bienale shihet nga qeveria si një formë e promovimit të vendit përmes kulturës, gjatë ditëve që përkojnë edhe me marrjen e vendimit për statusin e Shqipërisë nga BE.

Pavijoni i Shqipërisë në Bienalen e Venecias do të çelet me 7 Qershor dhe do të qëndrojë i hapur deri më 23 Nëntor. Në edicionin e 14-të të ekspozitës ndërkombëtare, marrin pjesë 40 shtete.

Për artistët Edi Hila dhe Ardian Paci, hapja e një pavijoni shqiptar, në 7 qershor në Bienalen e Venecias, shihet si një ngjarje e një rëndësie të veçantë. “Në mendjen time filloi të merrte formë imazhi i një skulpture mermeri, gdhendur gjatë një udhëtimi në oqean. Kështu vendosa ta kthej këtë imazh në realitet”, rrëfen për veprën e tij artisti që jeton mes Shqipërisë dhe Italisë, Adrian Paci.

Një tjetër artist shqiptar, që prej kohësh është vendosur në Paris, udhëton drejt Venecias me një seri pikturash realiste. Tablotë me të cilat Hila prezantohet në Bienale janë një vështrim në urbanistikën “postmoderne” shqiptare. Në veprat e Hilës tregohen pallate të larta, nga ato që kanë mbirë kudo në Tiranë, tarraca e të cilit është kthyer në një apartament. Edi Hila është marrë me këto “ndërtime të paligjshme” për t’i sjellë në tablo si objekte që tregojnë gjithë problematikën sociale me të cilën janë përballur qytetet tona këto vite.

“Piktura ime buron nga një realitet shumë kompleks, politik, social e të tjerë. Pra nuk do të isha i vërtetë jashtë këtij konteksti. Shoqëria shqiptare po kalon momente të vështira tranzicioni, e për këtë arsye është një burim pafund problemesh, situatash që zhvillohen në një sfond tepër ekspresiv, me ngarkesa të forta emocionale”, thotë Hila, i cili komenton se është i interesuar të marr pjesë në zbulimin, analizën dhe renditjen e këtyre fakteve, “gjithmonë në shërbim të shprehjes artistike, për të krijuar një art që në bazën e vetë-udhëhiqet nga e vërteta”.

Ndërsa sipas Ministres së Kulturës në bienalen e arkitekturës në Venecia do të prezantohet një koncept më i thellë dhe një reflektim ndryshe nga artistët tanë. Përzgjedhja e 2 punëve e 2 artistëve, të cilët nëpërmjet reflektimit dhe punës (konceptit të tyre artistik) prezantojnë pikërisht dinamikën socio-kulturore të modernizmit, kjo e fundit është e lidhur dhe me temën kryesore të bienales e cila është përthithja e modernitetit. Dy punimet e artistëve kanë një dimension përtej arkitekturës, dhe përtej teknikës, dhe paraqesin problematikën sociale, qasjen socio-ekonomiko kulturore me të cilën janë përballur qytetet tona nëpër vite.

Pjesëmarrja e artistëve shqiptarë në bienalen e Venecias “ka një rëndësi jo thjesht artistike e kulturore, por edhe kombëtare”, theksoi Kumbaro. Ministrja e Kulturës e ka vlerësuar aktivitetin në kontekstin e pritshmërisë së vendit tonë për hyrjen në BE. Kumbaro e ku shpreh dje se të tilla pjesëmarrje “nuk duhet të jenë thjesht fragmente, por pjesë e një logjike të një kulture e cila duhet të jetë gjithmonë prezentë, duke përfaqësuar e denjësisht vlerat e vendit tonë. Këtë logjikë ne do ta vazhdojmë edhe nesër nëpër bienalet e tjera në vendet e tjera”, deklaroi Ministrja e Kulturës.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike