Nga Uzbeksistani, ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro njoftoi se Shqipëria tashmë zyrtarisht, do të jetë vendi pritës i mbledhjes së 70−të të Komisionit Europian të Organizatës Botërore të Turizmit e cila do të mbahet në pranverë, nën kornizën e edicionit të dytë të FESTA − Forum of Environmental and Sustainable Tourism in Albania.
“Vitin e ardhshëm Komisioni për Europën i Organizatës Botërore të Turizmit vendosi që Shqipëria të jetë vendi pritës i mbledhjes së radhës, saktësisht i mbledhjes së 70−të të këtij komisioni, që do të thotë mbi 40 ministra, nga të gjitha vendet e kontinentit europian, ministra të turizmit, do të marrin pjesë, do të vijnë në Tiranën tonë, do të vijnë në Shqipëri jo vetëm për të bërë mbledhjen, jo vetëm për të marrë vendime të rëndësishme për rajonin, Mesdheun, Europën në fushën e turizmit”, u shpreh ministrja Kumbaro në një videomesazh nga Uzbekistani.
Për ministren Kumbaro, kjo ngjarje, është edhe një provë sesi Shqipëria po përparon në turizmin e eventeve e konferencave të mëdha.
“Është kjo një tjetër provë shumë e rëndësishme që turizmi në Shqipëri po gjen jo vetëm, ndjekësit e vet në fushën e turizmit natyror, të turizmit të kulinarisë, të turizmit të kulturës, të turizmit edhe shëndetësor, por sidmos të turizmit të eventeve, të ngjarjeve, të konferencave të mëdha që janë gjithmonë e më shumë të rëndësishme siç po ndodh dhe këto ditë në Tiranë”, vazhdoi ministrja Kumbaro.
Në mbledhjen e Komisionit Europian, Shqipëria u prezantua në krye të klasifikimeve për flukset turistike, e para në Evropë me 56% më shumë krahasuar me vitin 2019 dhe të tretën në botë për rritjen e të ardhurave nga turizmi me 77% më shumë krahasuar me periudhën e parapandemisë.
Gjatë pjesëmarrjes në Uzbekistan, në Asamblenë e Përgjithshme e cila është edhe ngjarja më e rëndësishme e vitit për Organizatën Botërore të Turizmit, minsitrja Kumbaro ishte folëse në panelin e nivelit të lartë kushtuar Investimeve Globale në Turizëm duke prezantuar produktet turistike shqiptare me qëllimin e tërheqjes së investimeve të huaja edhe falë kornizës ligjore mështetëse që Shqipëria ofron, përpos aseteve natyrore dhe përvojave pozitive të krijuara ndër vite.