Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha se pas rezultateve të PISA 2025 ekipi i Ministrisë së Arsimit dhe Agjencia Kombëtare e Shërbimeve Arsimore po vijojnë punën për analizimin e plotë të raportit të PISA-s, me qëllim kuptimin e rezultateve dhe nxjerrjen e përfundimeve të nevojshme, duke krahasuar rezultatet e Shqipërisë me ecurinë e saj ndër vite, me vendet e rajonit dhe me vende me realitete të ngjashme socio-kulturore e ekonomike, ndërsa do të merren në konsideratë edhe trendet globale.
Ministrja Kumbaro bëri të ditur se në tetor mbledhja e bordit të PISA-s është vendosur të mbahet për herë të parë në Shqipëri.
“Dhe një lajm për PISA-n, bordi i PISA ka vendosur që mbledhjen e tyre të ardhshme ta zhvillojnë te vendi me yll, në Shqipëri. Pra, në tetor, mirëpresim bordin e PISA-s të mblidhet në Tiranë”, deklaroi Kumbaro.
Kumbaro gjithashtu sqaroi shënimin teknik për rezultatet e Shqipërisë në PISA, se është një shënim teknik, që kërkon kujdes në interpretimin e të dhënave dhe nuk është një deklarim pavlefshmërie i rezultateve.
“OECD thotë se në skenarin e analizuar, 428 pikë përfaqëson kufirin e poshtëm të besueshëm të mesatares së rezultatit më të keq të mundshëm; Dhe po ashtu, 7.5% e devijimit standard është vlerësim i paragjykimit të mundshëm, jo një ulje prej 7.5% e rezultatit të Shqipërisë. Dhe kjo matematikë na thotë diçka troç: ylli pranë emrit të Shqipërisë nuk është një vulë pavlefshmërie; është një shënim kujdesi për interpretim, i vendosur me të njëjtën logjikë shkencore me të cilën OECD-ja shënon çdo kufizim teknik në çdo vend. OECD nuk i ka anuluar rezultatet e Shqipërisë, nuk e ka përjashtuar Shqipërinë nga PISA, dhe i ka publikuar këto rezultate bashkë me shënimin teknik që i shoqëron, njësoj siç bën për çdo vend tjetër që përballet me kufizime të ngjashme, siç ka bërë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të njëjtën arsye, apo siç ka bërë me Holandën, Zelandën e Re, Norvegjinë, Kanadanë etj., për arsye të tjera metodologjike”, tha Kumbaro.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, gjatë fjalës së saj në Kuvend, tha se PISA është një ndër instrumentet që ndihmon në vlerësimin dhe përmirësimin e sistemit arsimor, ndërsa theksoi se në qendër të këtij procesi është nxënësi.
Lajmi kryesor:
Kuvend/ Rrëzohet kërkesa e PD që të mos votohet drafti për pagat e magjistratëve, Balla: Hipokrizi






