TIRANE- Kur edhe pak orë na ndajnë nga vizita e Papa Franceskut në Shqipëri, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro është ndalur tek detajet e fundit për përgatitjet. Në një konferencë për shtyp nga ambientet e rinovuara të Aeroportit të Rinasit, në cilësinë e Kryetares së Komisionit Shtetëror për vizitën e Papës në vendin tonë, ministrja Kumbaro është ndalur tek puna e bërë gjatë këtyre dy muajve për të bërë gjithçka gati në pritje të Atit të Shenjtë. Duke u ndalur tek vijimi me intensitet i punimeve në sheshin “Nënë Tereza”, Kumbaro duke falënderuar të gjithë institucionet e angazhuara, ka theksuar se kur bëhet fjalë për çështje në interes të përbashkët, “Shqipëria ka potencial për t'u marrë vesh edhe kur jemi në kampe të ndryshme”.

Sipas ministres Kumbaro bashkëpunimi për përgatitjet dymujore për ardhjen e Papa Franceskut tregojnë se pavarësisht kampeve politike të kundërta kooperimi është i mundshëm. Kumbaro theksoi se gjatë këtyre muajve shteti shqiptar u mobilizua për të pritur një mik të shtrenjtë, dhe për të jetësuar një event me shumë dimensione.

Ministrja e Kulturës lajmëroi po ashtu për çeljen e një ekspozite në Muzeun Kombëtar, i cili do të qëndrojë i hapur gjatë gjithë muajit tetor.
 
Të gjithë qytetarëve që do të marrin pjesë në meshën e shenjtë që Papa do të mbajë në sheshin “Nënë Tereza”, ministrja Kumbaro i bën apel që të tregojnë sërish vlerat e bashkëjetesës fetare, si dhe të zbatojnë të gjitha udhëzimet për lëvizjen, qarkullimin e mjeteve, parkimin, etj.

Në përfundim të fjalës së saj, Mirela Kumbaro falënderoi median, për ndjekjen dhe pasqyrimin e të gjitha punëve të ndërmarra për ardhjen e Atit të Shenjtë.
 
Fjala e ministres Mirela Kumbaro
 

- Jemi më pak se 24 orë nga ardhja e Papës - që ndalesën e parë do e ketë pikërisht këtu në këtë sallë të aeroportit e cila është rinovuar së fundmi edhe për të pritur Atin e Shenjtë, që vjen nesër, në përgjigje të ftesës personale të Kryeministrit Edi Rama.
 
- Si çdo familje që kujdeset dhe bën disa përgatitje të veçanta për një mik të shtrenjtë, edhe qeveria shqiptare, shteti shqiptar, në keto dy muaj, u mobilizua, u organizua për të pritur Mikun e shtrenjtë, dhe të gjithë miqtë e tjerë që vijnë për këtë ngjarje me përmasa botërore.

- Pohoj që nuk ka qenë e lehtë që në një kohë kaq të shkurtër të realizonim gjithë objektivat e projektet tona, jo sepse nuk dimë a nuk mundemi, por sepse nuk mendonim që kjo ngjarje të reduktohej veç në protokollin e një ditë, por në ngjarjen e kësaj vjeshte e të këtij viti:
 
- për Tiranën, për Shqipërinë, për shqiptarët, për rajonin, ngjarje me shumë dimensione: kulturore, shpirtërore, sociale dhe historike.
 - por edhe për të përkthyer dy mesazhet që Papa ka percjellë për vizitën e tij në Shqipëri:
 
+ Në kujtim të vuajtjeve të këtij populli të cilit iu hoq barbarisht për dyzet vjet e drejta e lirisë së mendimit dhe e lirisë së besimit
+ Për të përshëndetur këtë vend i cili diversitetin e tij ndërfetar e jetoi dhe e jeton paqësisht pa prodhuar konflikt, duke dhënë me këtë një shëmbull të shkëlqyer se mund të jemi ndryshe duke qenë bashkë.
 
Kjo ishte arsyeja pse përshpejtuam punimet rehabilituese në disa zona, siç është Sheshi Nënë Tereza dhe zona përreth, Pallati i Kongreseve, Muzeu Historik, Aeroporti;
 
Kjo ishte arsyeja pse ndërtuam një kalendar shumë të pasur kulturor i cili u shtri jashtë kryeqytetit dhe vazhdon përtej datës 21 shtator.