Që pasi la pas dëmtimin Marash Kumbulla është rikthyer të ketë edhe një herë vëmendjen e gjithë opinionit sportiv në Itali. Mbrojtësi 20-vjeçar me origjinë nga Shkodra që luan për Verona-n, për muajin janar ka lënë pas për performancë edhe emra të njohur të futbollit botëror si Virgil Van Dijk, i cili në 2019 ishte edhe kandidat potencial për ‘Topin e Artë’.
Në këtë përfundim ka dalë CIES, observatori Europian i futbollit që mat të dhënat e futbollistëve. Fitorja kundër Spal-it dhe Genoa-s fillimisht, më pas barazimi ndaj Bolonjas dhe së fundmi tre pikët kundër Leçes, kanë bërë që Kumbulla të renditet në vendin e pestë sipas CIES në muajin janar me 90.3 pikë, ndërkohë që vendi i parë mbahet nga Jerome Boateng me 94 pikë.
Jo vetëm për shkak të ecurisë në ndeshjet e fundit, por edhe për 16 paraqitjetet në total në ‘Seria A’, kanë bërë që në ndeshjen e fundit kundër Lazio-s në ‘Olimpico’ për Kumbullën të ketë vëzhgues nga Manchester United dhe Chelsea.
Gjithsesi diçka më konkrete sipas mediave në Itali ka nga Lazio, e cila pas Napolit dhe Interit, është skuadra tjetër italiane që kërkon qendërmbrojtësin. Drtejtori sportiv Igli Tare ka përfituar nga ndeshja në Romë për të folur me agjentin e futbollistit. Për shkak se prindërit e Kumbullës janë shqiptar Lazio mund të jetë e favorizuar, shkruajnë mediat në Itali. Deri më tani Napoli ka qenë kandidati më serioz, por dëshira e Kumbullës është Interi i Conte-s, që aplikon një skemë mbrojtëse me 3 futbollistë, ashtu siç luan edhe Verona e këtij sezoni.