Kumtet e Atjon Zhitit

Kumtet e Atjon Zhitit
Kanë kaluar vetëm pak ditë nga ai mëngjez ogurzi i 20 dhjetorit 2014, kur bota shqiptare u trondit nga një lajm i kobshëm, i papritur dhe rrënqethës deri në kufijtë e të pabesueshmes, një lajm i përhapur me shpejtësinë marramendëse të mjeteve bashkëkohore të informimit : Atjon Zhiti, djali i vetëm 19-vjeçar i poetit e shkrimtarit, ndër më të njohurit e të respektuarit e saj, Visar Zhiti, u nda nga jeta.

Gjëma e familjes Zhiti ishte në vetvete një tragjedi me përmasa të jashtzakonëshme, që kushtëzoi humorin e festave të fund vitit për shumë shqiptarë në të gjithë globin, të cilët shprehën hidhërimin e afërsinë shpirtërore me familjen e të ndjerit në forma të ndryshme. Kjo pjesëmarrje e opinionit publik, në mënyrë kaq të ndieshme, në tragjedinë e njërës prej familjeve më përfaqësuese të shoqërisë shqiptare, dëshmoi një vlerë të trashëguar të tij që, fatmirësisht, mbetet ende e pranishme.

Ajo shprehu, së pari, keqardhjen dhe dhimbjen e thellë për ndërprerjen e një jete Djaloshi, ende të njomë, që mbyllte rrethin e saj, mizorisht, në një aksident me motorr, këtë vrasës bashkëkohor të dhjetra mijra të rinjsh në të gjithë botën. Së dyti shprehu solidaritetin kundrejt prindërve të dërmuar nga pesha e stërmadhe e humbjes, për të cilët jeta tjetërsohet e largohet nga rrjedha e zakonshme, zbrazet nga kuptimi i saj normal, duke i u afruar një gjëndjeje dëshpërimi të tillë që gjen shprehjen e tij më të përshtatëshme në vargjet monumentale të Çajupit.

“Tani rroj pa shpresë, ndaj s’dua të rroj
Se dhe Perëndinë tani s’e besoj.”

Atjon Zhiti ndërroi jetë shumë shpejt, në një moshë që vetëm ndonjë gjeni i parakohshëm mund të lerë vulën e tij në jetën e shoqërisë apo të Vendit ku jeton. Studenti i filozofisë në Universitetin Katolik të Milanos e kishte nisur atë rrugë dhe, nëpërmjet dy shkrimeve të botuara në të përditëshmen MAPO në shkurt dhe maj 2014, e të një të treti, të vënë në internet nga Balkan Web në ditët e fundit, kishte ravijëzuar portretin e tij në fushën e publiçistikës. Ai mund të ketë patur edhe shkrime të tjera, të cilët nuk i njoh, por për mendimin tim modest, edhe  këta tre shkrime mjaftojnë për të dhënë profilin e një publiçisti filozof, që ka pak ose aspak të ngjajshëm në gazetarinë shqiptare.

     Vlerat e vërteta në fushën sociologjike apo letrare, nuk maten detyrimisht vetëm me vëllimin e prodhimit. Kritika botërore është e një mëndjeje në vlerësimin e poetit Edgar Allan Poe që, simbas saj, do të kishte patur vendin e tij në letërsinë e madhe, edhe sikur të kishte shkruar vetëm poezitë “Korbi” dhe “Annabel Lee”. Tre shkrimet e Atjon Zhitit, përkatësisht : “A jemi gati për atë që duam?”, “Bota nuk është e rrumbullakët për të gjithë, varet nga drejtësia dhe Shteti.....”, “Kur u shpik 1+1, mizoria që lulëzon nga dobësia”, janë artikuj që do të kishin nderuar edhe publiçistë të shquar, madje edhe me dhjetra vjet veprimtari.

Janë modele të mendimit bashkëkohor mbi filozofinë e politikës dhe kanë një kostante që i përshkon e mbetet përherë e pranishme : është shqetësimi për realitetin shqiptar, për anët e tij t’errta, për sëmundjet e tij kronike, për rrugën në të cilën ecën shoqëria dhe institucionet e saj. Analiza e Djaloshit filozof është sa e thellë aq edhe e gjërë. Ajo merr jetë nga një vëzhgim i mprehtë dhe i imtë i së vërtetës jetësore, mbi të cilën përsiatja vepron katërcipërisht me thikën e kirurgut, duke operuar mbi një trup që ka të meta të lindjes, por më shumë të edukimit, të cilat Autori i ri  i vendos mirë në kohë e që përkojnë me 70 vitet e fundit të historisë shqiptare.

     Shkrimi i parë është tfillimi i një pyetjeje që djaloshi i drejton së pari vetes e, më pas, edhe mjedisit të ngushtë e më pak të ngushtë të bashkatdhetarëve të tij : “ A është vërtetë vendi i im i gatshëm për atë çka aspiron dhe, a e ka kokën midis shpatullave të veta, të cilat duhet të mbajnë peshën e përgjegjësisë së ambicjes dhe të veprimit të duhur, apo e ka zhytur mes reve në një qiell ëndrrash?”. Pyetja vjen si  përfundim i një arsyetimi 360° mbi Shqipërinë dhe botën në të cilën ajo hedh hapat e saj.

Autori ka lindur më 1995, në periudhën e pas komunizmit, është përfaqësues i një brezi që nuk njeh “mëkatin origjinal”, i cili vazhdon të ndikojë dukshëm atë shoqëri, të cilën Ai e kërkon më të zhdërvjelltë, më të urtë, më të moralshme, më të shëndoshë. Komunizmin Ai e njeh si dukuri shoqërore më shumë nga librat e çmuara të babait të tij se sa nga “kujtimet e veteranëvet”, apo nga “veprat” e historishkruesve të tij. Ai nuk merret me të si dukuri historike apo shoqërore, e quan të kaluar, e hedh mbas krahëve e shikon përpara.

Por perspektiva e një Vendi, që ecën si kërmilli në një botë që vrapon, e bën të kthehet mbrapa në kujtesën historike, në rrënjët, në kohë të lashta kur, në këtë truall lulëzonte një kulturë e ardhur nëpërmjet fuqisë së armëve dhe fatalitetit historik, por që kishte rezultatet e saj në mësimet që jepte në rrugën e qytetërimit. Qytetërimi nuk është vetëm luftë për lirinë, është edhe përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar një bashkësi njerëzish që të mos jetë “pré e depredimeve të barbarëve, pré e nepotizmit, pré e korrupsionit, pré e inkompetencës së burokracisë dhe administratës, pré e një demokracie fiktive, shpesh të munguar.”

Kjo është tablloja e shoqërisë shqiptare sot, në sytë e një të riu të ndritur, që ka ruajtur virgjërinë intelektuale, si rrallë kush ndër moshatarët e tij, një i ri që është i vetëdijshëm për gjëndjen e atdheut, “një rrethinë e errët” në “mega-qytetin” e dukurisë  së globalizimit. Filozofi i ri e shikon me dhimbje këtë tabllo e arrin në përcaktimin e diagnozës së një gjendjeje, të cilën mendon t’a ndryshojë duke vënë gishtin mbi plagën më të majisur të saj, korrupsionin. Me dhimbje vë ré se mungon “kujtesa kolektive”, që duhej të na bënte të nxirrnim mësimet e duhura nga e shkuara jonë, për të mos i përsëritur gabimet e saj sot e, aq më tepër nesër.

Shqetësimi për këtë gjëndje merr përmasa sarkastike, kur Autori, në kontekstin e një bote ku nuk mungojnë shembujt e luftës kundër korrupsionit, vëren se në Vendin e tij “mëkatarët gjithashtu janë tepër naivë për të ditur se ç’bënin e ç’bëjnë e jo më për të pranuar fajet e tyre.”. Më shumë idhtar i filozofisë klasike e i parimeve tolstojane për ndryshimin e shoqërisë, se sa i “gijotinës”, Atjon Zhiti arrin në përfundimin se “Duhet të ndërgjegjësohemi e së bashku të bëjmë një kryengritje morale të vazhdimtë.” Është  shprehje e një strategjie të qartë, në të cilën tejduket roli i drejtuesit në një rrugë që është pothuaj e pashkelur, në përvojën tonë si komb. A do të kishte patur fuqinë dhe përkrahjen për t’i a dalë në krye me sukses ? Mosbesimi bëhet i detyruar....

     Shkrimi i dytë është një traktat i shkurtër mbi koncepte të njohura si ligji dhe e drejta, si shteti, origjina dhe institucionet e tij, shoqëria dhe politika që prodhon ajo, raportet në format e ndryshme të organizimit e të mbarështimit të marredhënieve shoqërore e të mënyrave të ndryshme të qeverimit. Duke anashkaluar pjesën teorike të shpalosjes së koncepteve, hasim edhe në këtë shkrim konstatime, që nuk janë gjetje të fshehtash misterioze, por fotografime të përpikta të një realiteti prej një idealisti që ruan me ngulm opinionet e tij, duke mos pranuar asnjë kompromis për hir të rrethanave apo “llogarive” të s’ardhmes.

Për Të Shqipëria politike, një Vend ku “ligji e ligjshmëria në këtë tokë paradoksesh..... janë të kundërt e përplasen”, “ku të gjithë ne kemi mundësi të barabarta të përshtatim ligjin sipas njohjeve e mundësive tona” , ku qytetari, edhe kalimtar, mbetet i “vrerosur ndaj mahnitjes karshi shëmtisë, shëmtisë jo vetëm konkrete”, me standartet e saj anadollake e komuniste, mbetet e papranueshme, duke paraqitur simptoma të rrezikëshme që kërkojnë një ndërhyrje të shpejtë.

     “Pa dyshim një Shtet i tillë meriton një lloj asgjësimi dhe çdo element i tij përbërës, pra qeveria, opozita, shtetarët, shtetasit (prej indiferentizmit), institucionet”. Nuk kursen askënd Djaloshi filozof e, para një palëvizshmërie alarmuese të shoqërisë, që është gangrenizuar në format e projektet fillestare të ndryshimit të regjimit, në krijimin e një polarizimi pasuror ku pushteti është kthyer në një oligarki, ku pasuria e paligjëshme ka pushtuar institucionet dhe rrezikon demokracinë, duke vënë në pikëpyetje moralin dhe vlerat e trashëguara, Ai thërret në ndihmë “revolucionin jo të dhunshëm” të Sokratit të lashtë, por përfundon duke nxjerrë në pah një fragment të Faik Konicës, mbas një gjykimi tepër lartësues e subjektiv për të.

Fragmenti është një seri pyetjesh në lidhje me rolin e të rinjve në ndryshimet shoqërore të Shqipërisë. Mbetet problemi i përjetshëm, ai i shpresës tek të rinjtë, tek vrulli i tyre, tek pastërtia e idealeve, tek gatishmëria për të luftuar në sendërtimin e tyre, tek horizonti i hapur dhe mos pajtimi me “kënetën”, ujin e palëvizshëm. Autori është i bindur se duhet të jetë brezi i tij që duhet të kërkojë me forcë ndryshimet, larg demagogjisë e premtimeve të pambajtura të baballarëve të tyre, “studentëve të dhjetorit”, që çdo vit përkujtojnë, pa patur kurajën asnjëherë të bëjnë “mea culpa”, për gjëndjen e cila revolton Atjonin, e për të cilën kanë dhe ata një pjesë përgjegjësie....

     Shkrimi i tretë “Kur u shpik 1+1, mizoria që lulëzon nga dobësia” me shumë dhimbje mund të quhet “testamenti” i Djaloshit Zhiti. Është një “lectio magistralis” mbi gjëndjen e Shqipërisë e plagët më të thella të shoqërisë së saj, që kanë në qendër të tyre një term që përdoret, pa kursim, edhe në shkrimet e tjera : korrupsioni. Është kjo sëmundja që kërcënon t’ardhmen e Shqipërisë, që e mban atë jashtë proçeseve përbashkuese të kontinentit, që çorodit funksionimin e institucioneve, duke filluar nga ata të Drejtësisë, që krijon mosbesim në Shtetin, brënda e jashtë tij, që mbjell pasiguri e skeptiçizëm tek ata, si Atjoni, që e shohin t’ardhmen e tyre të lidhur me atë të Atdheut.

Pyetjet vazhdojnë edhe në këtë shkrim, është një bashkëbisedim i hapur e i sinqertë i Djaloshit me Vendin e tij, në të cilin Ai i ve një pasqyrë para syve Atdheut. Autori sulet me tërbim kundër një rendi gjërash, në të cilin “seleksionohen të korruptuarit dhe diskriminohen të ndershmit”, ku rrezikohet kataklizma e shoqërisë, mbasi “Kur politika nuk  dallohet më nga rruga, pasoja e menjëherëshme dhe e pashmangëshme është një mynxyrë”. Për të shmangur këtë rrezik “Urgjentisht duhet katalizatori i një reforme intelektuale e morale”.

Ai sheh në një prirje përtrirëse të klasës politike, që duhet të ketë burrërinë të njohë mangësitë e gabimet e saj “një rreze drite që na lejon të dalim nga terri i shpellës së injorancës tonë”. Djaloshi iluminist, që kalon në sitën e parimeve të gjithë spektrin e njohur të shoqërisë, vëren me keqardhje se “populli” ose “shoqëria” i qëndron larg, si kundrejt një murtaje politikanit vizionar dhe ideologut idealist”. Shkrimi në mbyllje pasqyron këtë zhgënjim, sepse ai sheh se ata që mbajnë ”monopolin” e së vërtetës, që drejtojnë politikën janë bartës e propagandues të “pseudo të vërtetave e pseudo vlerave” dhe shton : “Shëmbujt i kemi vazhdimisht përpara, prej shtatëdhjetë vitesh. Fasada është e bukur, plot shpresë, rrënjët janë të njëjtat, të kalburat....”

     Këta ishin disa nga kumtet që na la Djaloshi filozof, Atjon Zhiti, që dëshmojnë përmasat e personalitetit, të karakterit e të intelektit të tij, ai i një pararendësi të iluminizmit shqiptar, nëse do të vijë ndonjëherë.....
     20 dhjetori 2014 qe një ditë e zezë jo vetëm për familjen Zhiti, së cilës i shoi dritën e syrit, por edhe për Shqipërinë, që pësoi humbjen e njërit prej bijve të saj më të vlefshëm, një pionieri të palodhshëm të përparimit, një shprese, një rreze drite, që ndoshta do të kishte qënë një nga pishtarët ndriçues të s’ardhmes së saj.

“Vdes i ri ai që për qiellin është i shtrenjtë” shkruante 2200 vjet më parë Menandri, athinasi i madh i komedise.
     I përjetshëm qoftë kujtimi i ëmbël i Atjon Zhitit, së bashku me idetë që lëvrinin në mëndjen e Tij e që i shërbenin gjithmonë të njëjtit synim : lartësimit shpirtëror, kulturor dhe moral të shqiptarëve e të Shtetit të tyre e institucioneve të tij, të një bote të vogël, me të cilën Ai ishte i lidhur në një dashuri të sinqertë që ushqente për të.

     Dhjetor 2014

Atjon Zhiti



































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 janar 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?