Sonte në orën 21 e gjithë bota futbolldashëse do ta ketë vëmendjen në Madrid pasi Reali do të presë Barcelonën në atë që quhet El Clasicco dhe që është e vlefshme për javën e 26 të La Liga-s. Ajo që e bën më emocionuese këtë sfidë është se katalansit renditen të parët në renditje dhe ‘galaktikët’ e Zidan të dytët, me një diferencë prej vetëm dy pikësh, ndaj pritet që ky 90 minutësh të përcaktoi shumë në luftën për titull kampion.
Reali pritës do të ketë mungesat e Eden Hazard, Asensio dhe Rodrygo-s, ndërsa te Barcelona të padisponueshëm janë Suarez dhe Dembele, ndërsa në dyshim për shkak dëmtimi janë Jordi Alba dhe Gerard Pique. Në 12 ndeshjet e fundit në shtëpi Real Madrid nuk është mposhtur asnjëherë, ndërsa Barcelona në shtatë transfertat e fundit në Bernabeu ka dalë e fituar gjashtë herë.
Në prag të takimit trajneri i Real Madrid Zinedin Zidan është shprehur se ‘skuadrës i duhet zemër, kokë, unitet dhe shpirt’. Mbi të gjitha francezi ka thënë se duhet të zhvillojnë një ndeshje të bukur. Sakaq trajneri i Barcelonës Setien ka deklaruar: “Do shkojmë në Bernabeu për t’u stërvitur. Ne do të luajmë në sulm, ashtu siç ka edhe filozofinë ky klub. Të kesh Messi-n në ekip është si të kesh tre mbretëresha në një fushë shaku…”