‘Bomber’ në fushë dhe pjesë e stafit të Sylvinho-s deri në Evropianin 2024, Hamdi Salihi, mendon se Kombëtarja e Maran po përjeton një moment tejet pozitiv. Në intervistën për Report TV pas ndeshjes së fituar 2-0 kundër Finlandës në Ligën e Kombeve, 42-vjeçari thotë se kuqezinjtë kanë arritur një status që frikëson kundërshtarët.
“Kemi bërë hapa shumë të mëdhenj sepse para pak vitesh kanë qenë ekipe që kanë qenë pjesë e futbollit evropian në të gjitha kompeticionet. Ekipe si Finlanda. Ne kemi kaluar në një fazë që as nuk i diskutojmë më: janë ndeshje për t’u fituar. Më vjen mirë që jemi kështu, ta shijojmë momentin dhe uroj ta rrisim performancën,”-tha fillimisht Salihi.
Për Salihin loja sulmuese që po tenton të aplikojë trajneri Maran nuk është pika më e fortë e tij, por sipas ish-zëvendës trajnerit të Kombëtares, italiani ka një tjetër element shumë pozitiv.
“Gjëja që më pëlqen më shumë prej tij është se nuk po i prish ekuilibrat që ekipi ka. Gjërat që janë krijuar më para,”-u shpreh Salihi.
Salihi është emëruar zëvendës-trajner prej vitit 2019, ndërsa punoi me Sylvinhon prej 1 viti e gjysmë. Trajneri i cili nuk kishte shumë besim te Ernest Muçi, lojtari i cili realizoi një supergol kundër Finlandës.
“Jo vetëm unë që kam qenë aty, por të gjithë njerëzit e prisnin me kohë dhe e dinë kualitetin që ka. Më vjen mirë që atë që po bën në klub po e sjell edhe te Kombëtarja. Është një gjë e jashtëzakonshme. Sjell atmosferë dhe i jep edhe besim për të shprehur ato kualitete që ka,”-deklaroi ish-ndihmës trajneri i Kombëtares.
Salihi është optimist se Shqipëria nuk do ta diskutojë vendin e parë në Ligën e Kombeve në ndeshjen e fundit kundër Bjellorusisë me 15 nëntor.
“Kemi kaluar në një fazë që jemi pretendent. Të gjithë mendojmë se duhen kaluar këto ndeshje dhe besoj se do kalohen me sukses,”-tha ai.
Bjellorusi-Shqipëri do të luhet në Hungari pasi bjellorusët janë të dënuar nga UEFA dhe FIFA për shkak të situatës politike që lidhet me luftën në Ukrainë.










Komente
Komento