Egjipti është skuadra e parë që siguroi kualifikimin në raundin e 1/8-ve në Kupën e Kombeve të Afrikës, pas fitores minimale 1-0 të premten ndaj Afrikës së Jugut. Sfida u vendos nga një penallti e realizuar nga Mohamed Salah, e cila shkaktoi polemika të shumta për shkak të kontaktit shumë të lehtë që çoi në vendimin e arbitrit.
Goli i kapitenit egjiptian rezultoi vendimtar, por ndeshja 'u ndez' edhe më shumë në pjesën e dytë, kur Egjipti mbeti me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Hanyt. Me epërsinë numerike, Afrika e Jugut shtoi presionin dhe sulmoi vazhdimisht në kërkim të barazimit.
Momenti më i diskutueshëm erdhi pas një rishikimi të gjatë nga VAR-i, që zgjati rreth 10 minuta. Arbitri vendosi të mos akordojë penallti për Afrikën e Jugut, pavarësisht një prekjeje të dukshme të topit me dorë brenda zonës, duke shkaktuar reagime të ashpra nga pankina dhe lojtarët.
Në fund, Egjipti mbrojti avantazhin dhe festoi një fitore të rëndësishme, edhe pse e shoqëruar me shumë polemika, duke u bërë ekipi i parë i kualifikuar në fazën me eliminim direkt të turneut.
Komente








