Carlo Ancelotti do të vazhdojë të drejtojë kombëtaren e Brazilit edhe për disa vite të tjera. Federata Braziliane e Futbollit (CBF) ka konfirmuar zyrtarisht rinovimin e kontratës me trajnerin italian deri në vitin 2030, duke i besuar atij drejtimin e skuadrës deri në Kupën e Botës së ardhshme.
Në një deklaratë publike, CBF bëri të ditur se marrëveshja e re katër vjeçare pasqyron besimin e plotë në punën e Ancelottit dhe në projektin që ai ka ndërtuar që nga marrja e detyrës në maj të vitit 2025.
Që prej ardhjes së tij, tekniku italian është shndërruar në një figurë kyçe për kombëtaren braziliane, duke sjellë stabilitet dhe një vizion të qartë për zhvillimin e ekipit. Bashkëpunimi i tij me strukturat e federatës është vlerësuar si thelbësor për forcimin e futbollit brazilian.
Rinovimi i kontratës konsiderohet si një hap i rëndësishëm për vazhdimësinë e projektit, ndërsa Brazili synon të rikthehet në majat e futbollit botëror nën drejtimin e një prej trajnerëve më të suksesshëm në histori.
Përpara është Kupa e Botës 2026 dhe Brazili bën pjesë në Grupin C së bashku me Marokun, Haitin dhe Skocinë. Pesë herë kampionët e botës shihen si skuadra favorite për të fituar trofeun, ndërsa puna e Ancelottit është për të përzgjedhur 26 emrat më në formë që mund të rezultojnë deçiziv në fushë. Dilemë është nëse trajneri do të përfshijë yllin Neymar në ekip.
Botërori 2026 do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Komente







