MAROK - Kupa e Kombeve të Afrikës zhvilloi të shtunën dy ndeshjet e radhës çerekfinale, teksa Nigeria dhe Egjipti siguruan një biletë për në fazën e radhës. Nigeria fitoi 0-2 kundër Algjerisë, ndërsa Egjipti mposhti 3-2 Bregun e Fildishtë.

Në stadiumin e Marakeshit, Algjeria u mposht 0-2 nga Nigeria. Këta të fundit iu falën golave të Osimhen dhe Adams në pjesën e dytë për të kaluar në gjysmëfinalet e turneut, ku do gjejnë Marokun vendas. Algjerianët nuk u pajtuan me këtë rezultat, teksa në dhomat e zhveshjes pati trazira dhe futbollistët e stafi i tyre tentuan të sulmonin arbitrin, duke hedhur akuza për gjykimin.

Në stadiumin 'Adrar' të Agadirit, Egjipti vuajti, por në fund fitoi 3-2 kundër Bregut të Fildishtë, për të gjetur në gjysmëfinale Senegalin. Marmoush dhe Rabia shënuan dy gola të shpejtë për 'Faraonët', ndërsa autogoli i Fatouh bëri që pjesa e parë të mbyllej 2-1. Në fraksionin e dytë Momo Salah shënoi golin e tretë për Egjiptin,ndërsa Guela Doue shënoi golin e dytë për Bregun e Fildishtë.

Tanimë më 14 janar do luhen dy ndeshjet gjysmëfinale, Senegal - Egjipt dhe Nigeri - Marok.

Kupa e Afrikës, faza çerekfinale:

E premte, 09 janar 2026

Mali 0-1 Senegal

Kamerun 0-2 Marok

E shtunë, 10 janar 2026

Algjeri 0-2 Nigeri

Egjipti 3-2 Bregu i Fildishtë

Kupa e Afrikës, ndeshjet gjysmëfinale:

14 janar 2026

Senegal - Egjipt

Nigeri - Marok