TIRANË - Sot në orën 18:00 në "Air Albania" luhet Shqipëri - Angli, duel që vlen për kualifikueset e Grupit K të Kupës së Botës 2026. Kjo sfidë është e fundit për të dyja skuadrat, që i kanë përmbushur objektivat. Anglia, si e para e grupit ka marrë biletën për në fazën finale të Botërorit 2026, që do zhvillohet verën që vjen në Amerikën e Veriut. Nga ana tjetër, ekipi ynë do jetë pjesë e fazës play-off dhe më 20 nëntor do mësojë rivalin për gjysmëfinalen që do luhet më 26 mars 2026.
Arritja historike e Shqipërisë në play-off dhe përballja pa objektiva pritet të jetë më shumë një "miqësore luksi", me 22 mijë tifozë që do jenë në stadium. Festa pritet të jetë kuqezi, ndërsa në impiant do ketë edhe tifozë të "Tre Luanëve". Policia ka marrë masat e duhura, duke garantuar rregullin jashtë dhe brenda impiantit. Futja në stadium nis në orën 15:00.
Përballjet dhe statistikat
Shqipëria dhe Anglia janë përballur shtatë herë më parë. Në të gjitha rastet ka fituar Anglia, ndërsa ne i kemi shënuar 'Tre Luanëve' vetëm një herë, në humbjen 1-3 në 'Qemal Stafa' më 28 mars 2001, me gol nga Altin Rraklli. Ndërkohë që Anglia na ka shënuar 21 gola.
Takimi i fundit mes skuadrave daton më 21 mars 2025, kur në Londër Anglia fitonte 2-0. Kjo është ndeshja e fundit që Shqipëria ka humbur këtë vit, teksa më pas Kombëtarja ka gjashtë fitore (pesë radhazi) dhe dy barazime. Anglia, në shtatë ndeshjet e kësaj fushate kualifikuese ka shtatë fitore. 'Tre Luanët' nuk kanë pësuar asnjë gol, duke shënuar 20-të. Misioni i Shqipërisë në "Air Albania" duket i vështirë.
Arbitrat
UEFA ka vendosur që në Tiranë të gjykojnë arbitrat nga Italia. Kryesori Marco Guida do mbështetet nga ndihmësit Giorgio Peretti, Alessio Berti dhe Simone Sozza. Në VAR do jenë Marco Di Bello dhe Valerio Marini.
Renditja:


Me pesë ndryshime nga fitorja kundër Andorrës, kështu do vendoset Kombëtarja në fushë.
Formacioni i mundshëm:
Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Gjimshiti, Ismajli, Aliji; Laçi, Asllani, Berisha; Broja, Daku, Uzuni
Ka vend për Ismajlin, Alijin, Berishën, Dakun dhe Uzunin. Ndërkohë që Mitaj dhe Shehu janë lënë në tribunë pasi janë të ndëshkuar me një karton të verdhë. Edhe Ajeti, Manaj e Bajrami rrezikojnë të ndëshkohen me një tjetër karton të verdhë dhe të mos jenë të gatshëm për në play-off, andaj Sylvinho s’ka ndërmend të rrezikojë.

Mario Mitaj dhe Juljan Shehu nuk do jenë të gatshëm për ndeshjen e sotme kundër Anglisë (18:00). Dyshja është pikë fikse e formacionit, por duke qenë se kanë nga një karton të verdhë dhe një ndëshkim tjetër i mundshëm do sillte mungesën e tyre në play-off, trajneri ka vendosur mos i ketë të gatshëm.
Klisman Cake dhe Adrion Pajaziti janë rikthyer të gatshëm për këtë duel, teksa në Andorra qëndruan në tribunë.
Veç Mitajt dhe Shehut, edhe Ajeti, Manaj e Bajrami kanë nga një karton të verdhë, ndaj sot nuk pritet të jenë në fushë. Trajneri Sylvinho dje për mediet foli për rotacion në ekip.
Komente




