Kombëtarja shqiptare e futbollit përballet me Anglinë të premten në orën 20:45. Sfida zhvillohet në mitikun "Wembley" të Londrës dhe vlen për Grupin K në fushatën kualifikuese të Kupës së Botës 2026. Kjo është sfida hapëse për dy skuadrat, teksa te "Tre Luanët" debuton trajneri Thomas Tuchel.
Nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ish-sulmuesi i Kombëtares, Gilman Lika tha për Report Tv se përballja me Anglinë do jetë e fortë, teksa iu përgjigj edhe pyetjeve të tjera të gazetarit Andi Kapxhiu. Për mëngjarashin ekipi i Sylvinhos bind, teksa "lufta" e vërtetë do jetë kundër Serbisë në këtë grup.
"Për momentin jam në Abu Dhabi dhe po punoj në një akademi. Lista e Kombëtares? Koha ka treguar që Sylvinho ka pasur të drejtë me zgjedhjet dhe dua të shoh se çfarë forme ka Etnik Brruti, gjithmonë nëse do kenë minutazh. Çdo ndeshje ka vështirësinë e vet.

Përballja me Anglinë në Londër? Do jetë e vështirë shumë, ata kanë emër të madh dhe debuton një trajner i ri, çka do jenë të motivuar, kjo do të thotë se shtohet vështirësia për tanët. Paçka se ne kemi lojtarë profesionistë.
Çfarë duhet të bëjë Shqipëria që të përballojë Anglinë? Të jemi të sinqertë dhe të kuptojmë diferencat. Ka disnivel të madh. Qëllimi kryesor është mos humbasim, besoj se Sylvinho do ndryshojë skemën dhe t'i marrim maksimumin.
Me Andorrën në Tiranë? Unë e shoh që fitorja është detyrim, por sot nuk ka ndeshje të lehta, paçka emrit. Qëllimi është për të dhënë më të mirën në fushë, që mos kemi pengje pas ndeshjes. Them se me Anglinë do japim më të mirën për një rezultat pozitiv dhe më pas të shohim Andorrës.
Objektivat, grupi me Anglinë dhe Serbinë? Në letër Anglia është favorit, si emër. Andorrën dhe Letoninë nuk duhet ta diskutojmë. Kemi një nivel me Serbinë dhe "lufta" për vendin e dytë do jetë me serbët.
Kombëtarja e Sylvinhos në kompeticionet e ndryshme - Sylvinho ka ndryshuar mentalitetin e ekipit, bëjmë presing në shumicën e ndeshjeve dhe jam ndjerë mirë. Kam parë në fushë një ekip të barabartë me rivalët e mëdhenj. Kemi lojtarë të mirë dhe mund të përballojmë rivalët", tha Gilman Lika.
Gjashtë janë ndeshjet mes dy skuadrave në histori, të gjashta të fituara nga Anglia. 19 gola na ka shënuar Anglia dhe vetëm një gol kemi shënuar në portën e tyre, ai i Altin Rrakllit në datën 28 mars 2001 në "Qemal Stafa", aty ku mposhteshim 1-3.
Grupi K përbëhet nga Shqipëria, Anglia, Letonia, Andorra dhe Serbia.
Komente

