Kampionati shqiptar i futbollit ka ndezur motorrët duke u rikthyer në fushë pas një periudhe relativisht të gjatë. Laçi dhe Flamurtari kanë qenë dy ekipet që kanë ulur siparin për kompeticionin e kupës së Shqipërisë. Ndeshja e zhvilluar në qytetin e Laçit ka qenë e katërta në kompeticionin e kupës për të dy ekipet. Pas tre ndeshjeve të para grupin B e kryeson ekipi i Bylisit me 9 pikë të plota që ka grumbulluar.

Ndërkohë që Flamurtari përpara kësaj ndeshje renditej në vendin e dytë, por fitorja e ekipit të Laçit ka rikthyer barazpeshën duke i lënë dy ekipet në të njëjtën kuotë pikësh me nga gjashtë secila. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin e Laçit është ndjekur nga një numër i konsiderueshëm tifozësh të thjeshtë, por edhe vip. I pranishëm në shkallët e stadiumit ka qenë trajneri i ekipit kombëtar të futbollit Gianni De Biasi së bashku me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka dhe disa figura të shquara të futbollit.

Ndeshja e djeshme i paraprin asaj më 6 shkurt që kombëtarja U-21 do të zhvillojë përballë ekipit të Maqedonisë. Ndërkohë për t’u rikthyer te ndeshja, 90’ minutëshi ka nisur mjaft mirë për të dy ekipet me sulme dhe kundërsulme nga të dyja portat. Loja ka qenë e hapur mes dy ekipeve dhe futbollistët e secilit ekip kanë dhënë maksimumin për të dhënë më të mirën në fushë, pasi De Biasi po shikonte gjithcka nga afër dhe lista për Gjeorgjinë mund të pësonte ndryshime. Goditjen e parë të ndeshjes në portën e Laçit e ka dhënë Gjergji Muzaka me një goditje nga 30 metra, por pa shumë rrezik për portierin.

Vendasit mundohen të reagojnë, por mbrojtja e kipit bregdetar është në lartësinë e duhur. Mungesa e Memellit në kampin vlonjat është mëse e ndjeshme, pasi rastet nuk finalizoheshin me sukses. Pjesa e dytë nis me Flamurtarin në sulm që tenton me Lenën të befasojë Vashakun. Por atëherë kur Flamurtari mori frenat e lojës, Laçi godet me mbrojtësin Buljan në minutën e 76’ duke gjunjëzuar kuqezinjtë.

Në minutat e mbetura miqëtë tentojë të barazojnë, por fati nuk ishte me ta. Kështu trajneri Gjoka merr një ‘shuplakë’ në debutim. Fitorja e Laçi rihap luftën për vendin e dytë në grup, pasi Bylisi është pothuajse i kualifikuar. Shanset për të dy ekipit janë të barabartë për të vijuar më tej. Sot luan Kukësi me Shkumbinin.






Dylber Balla