TIRANË - Këtë të martë në ambientet e 'Shtëpisë së Futbollit' pranë Federatës Shqiptare të Futbollit u hodh shorti për fazën gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. 'Goglat' vendosën që përballë të jenë çiftet Dinamo - Vllaznia dhe Egnatia - AF Elbasani. Këto sfida do jenë me sistemin vajtje-ardhje, teksa ndeshjet e para do luhen më 8 prill dhe ato të kthimit më 22 prill.

Veç përballjes në Kupën e Shqipërisë, po këto skuadra janë në garë edhe për titullin kampion në Superligë, përfshi në këtë katërshe edhe Partizanin.

Dinamo, fituese në fuqi e Kupës do luajë kundër Vllaznisë, njësoj si një sezon më parë në këtë fazë, teksa shkodranët nga ana e tyre janë në formë të mirë duke qenë në krye të Superligës. Ndërkohë që Egnatia ka një përballje shumë të luftuar kundër AF Elbasanit.

Ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë:

Dinamo - Vllaznia

Egnatia - AF Elbasani

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:38
Shorti përplas sërish Dinamon me Vllazninë, drejtorët Sinani e Pinari: Kupa është objektiv këtë sezon

Shorti i Kupës së Shqipërisë, i hedhur në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’ vendosi përballë në gjysmëfinale Dinamon dhe Vllazninë, dy skuadra që këtë sezon kanë patur rivalitet të egër dhe polemika edhe në stafin drejtues.

“Është një skuadër që është në vendin e parë në kampionat, por si ne i synon të dyja trofetë: Kupën dhe kampionatin. Kupa është një trofe shumë i rëndësishëm dhe çdo kundërshtar në këtë fazë është i vështirë,”-u shpreh drejtori i Dinamos Luan Pinari.

“Nuk kisha preferencë sepse dihet kush janë ekipet, të forta, por Vllaznia do të luftojë për të dy trofetë deri në fund,”-tha drejtori i Vllaznisë Vioresin Sinani.

Goglat përcaktuan që gjysmëfinalja tjetër të jetë mes Egnatias dhe Elbasanit.

“Mbas një humbje në finale me Dinamon do ishte shumë mirë të riktheheshim te Kupa sepse skuadër kemi, grup po dhe 25 lojtarë me një stol shumë shumë të mirë,”-u shpreh përfaqësuesi i Egnatias Xhevdet Zeka.

“Egnatia vjen si një ish-finaliste, kampione në fuqi dhe është skuadra që duhet mundur. Ne do bëjmë maksimumin se dhe një nga objektivat e skuadrës është arritja në finalen e Kupës së Shqipërisë,”-deklaroi drejtori i Elbasanit Elton Guranjaku.

Ndeshjet e parë gjysmëfinale të Kupës do të luhen me 8 prillë, ndërsa të kthimit me datë 22 të po këtij muaji.