TIRANË - Pas barazimit 1-1 gjatë fundjavës që lamë pas për raundin e 23-të në Superligë, Tirana dhe Dinamo u takuan sërish në 'Selman Stërmasi'. Këtë të mërkurë ishte Dinamo e Ilir Dajës që fitoi 0-2 kundër bardhebluve në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.
Dinamo 'shëroi plagët' në këtë takim dhe u rikthye te fitorja që i mungonte prej pesë takimeve. Ndërsa nga ana tjetër Tirana ka pësuar humbjen e parë pas dy muajsh.
Pjesa e parë e ndeshjes nuk prodhoi gola, por Dinamo goditi traun e portës. Në minutën e 65-të Dinamo shënoi me Vilën, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Mirëpo sërish sulmuesi në minutën e 76-të gjeti rrugën e rrjetës, këtë herë duke i dhënë epërsinë 'Bluve'.
Në shtesën e tretë, Dejvi Bregu shënoi edhe golin e dytë për Dinamon duke bërë që ekipi i Ilir Dajës të shkojë në ndeshjen e kthimit më 4 mars me avantazhin e dyfishtë.
Raundi i parë i fazës çerekfinale mbyllet sot në orën 16:30 me ndeshjen AF Elbasani - Partizani.
Kupa e Shqipërisë, faza çerekfinale - takimet e para:
E martë, 10 shkurt 2026:
13:30 Bylis 0-1 Vllaznia
16:30 Teuta 1-2 Egnatia
E mërkurë, 11 shkurt 2026:
13:30 Tirana 0-2 Dinamo
16:30 AF Elbasani - Partizani
*Ndeshjet e kthimit luhen më 4 mars 2026.
Komente











