TIRANE - Kombëtarja e Shqipërisë nën urdhrat e trajnerit italian që drejton kuqezinjtë Gianni De Biasi do të ,grumbullohet më datë 26 Maj në Tiranë për të nisur përgatitjet për ndeshjen më kryesore të eleminatoreve për kampionatin botëror 'Brazil 2014' përballë ekipit të Norvegjisë.

Por përgatitjet për ndeshjen me nordikët nuk do të zhvillohen në Shqipëri, por në Zvicër. Pas grumbullimit në Tiranë, ekipi do të niset për në Zvicër më datë 27 Maj ku do të realizojë fazën përgatitore. Faza përgatitore do të zgjasë deri në prag të ndeshjes më 7 Qershor. Ndërsa ditët e fundit në prag të ndeshjes do të zhvillohen në Durrës si gjithmonë.

Por gjatë periudhës në Zvicër do të zhvillohet edhe një ndeshje përballë ekipit të Turqisë, lajmi konfirmohet edhe nga futbollisti i ekipit kombëtar Alban Meha. Testi përballë Turqisë dhe vëmendja larg syve të medias do ta ndihmojnë De Biasin për të njohur mirë ekipin dhe skemën për të mundur Norvegjinë.

CANA: JAM 100 % I LAZIOS

Në prag të hapjes së merkatos së verës që prite të hapet pas pak ditësh kanë filluar edhe lajmet për zhvendosjen e shumë futbollistëve nga njëri ekip në tjetrin. Një ndër të cilët është edhe kapiteni i ekipit kombëtar të futbollit, Lorik Cana, që aktualisht luan me ekipin e Lazios në Itali. Oferta për mbrojtësin vijnë nga Gjermania dhe nga Turqia.

Por në një intervistë për mediat italiane, babai i Lorikut, që është njëkohëshisht edhe menaxheri i futbollitit deklaron se nuk do të largohet nga Lazio. "Loriku ka pasur shumë oferta për t'u larguar, por nuk do ta bëjë një gjë të tillë. Cana është 100 % i Lazios dhe kjo shihet edhe në fushë" përfundon Agim Cana.

"EDGAR ÇANI DO RINGJALLET"

Menaxheri i futbollistit të ekipit kombëtar të futbollit Egdar Cani, Oberto Petricca në një intervistë për mediat italiane siguron që sulmuesi do të rikthehet më i fortë se kurrë te Katania. "Cani është shumë i lumtur në ekipin e Katanias. Ai është duke jetuar një aventurë të re dhe për këtë është i përkushtuar maksimalisht.

Periudha e kalimit në merkaton e Janarit po i merr pak kohë që të rikthehet në ofrmën e tij më të mirë, pasi problemet me ish-ekipin deri sa mori kartonin nga FIFA i kushtuan shumë. Por shumë shpejt do ta shihni në formën më të mirë. Edicionin e ardhshëm do të jetë një nga protagonistët e Serisë A" përfundon Petricca.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.05.2013

Redkasia Online
(b.m/shqiptarja.com)