Ish kryetari I komitetit Ekzekutiv të Pogradecit Belul Lufo tregon eskluzivisht për gazetën Shqiptarja.com se “Pogradeci do të ishte futur në UNESKO që në vitin 1983 atëherë kur UNESKO shpalli Ohrin dhe pjesën e liqenit të Ohrit në të njëtën kohë. Ata erdhën në zyrën time”, tregon ish kryetari i Komitetit Ekzekutiv.
Sipas tij, në këtë vit, pra në 1983, i ka ardhur në zyrë një komision i lartë i UNESKO-s, kryesuar nga një spanjoll, duke i sjellë një platformë, makete dhe projekte ndihmash e kredish për të bërë ndryshime në këtë qytet, dhe për të shpallur më pas Pogradecin, liqenin dhe pikën turistike të Drilonit “Trashëgimi kulturore të UNESKO-s”.
Ato ditë të nxehta të korrikut në Pogradec ndodhej edhe i madhi Kadare, fillon të kujtojë ngadalë Belul Lufo, historinë e tij të përplasjes me kryeministrin Adil Çarçani.
Z.Belul, a mund të na flisni më gjerë për vizitën e komisionerëve të UNESKOS në zyrën tuaj?
Po ka qenë një fund korriku, një ditë e nxehtë me vapë cfilitëse. Njoftohem nga dezhurni në katin e parë se kishte mbërritur një komision i UNESKOS dhe kërkonte të takohej me mua. Natyrisht që I prita dhe nëpërmjet një përkthyesi që kishin me vete ata komunikuam.
Në fjalën hyrëse, drejtuesi i grupit ishte spanjoll, më thotë se mbase jemi pak të vonuar me pjesën tjetër të liqenit pasi para tre vjetësh ne shpallëm qytetin e Ohrit dhe pjesën tjetër të liqenit si pjesë të “Trashëgimisë kulturore“, por ju e kuptoni mu drejtua ai se para se të futet në UNESKO një vend i caktuar duhet të realizohet një projekt konkret, të jepen ndihma dhe kredi përkatëse dhe më pas të anëtarësohet
A mund të na flisni më konkretisht rreth projektit të UNESKOS për Pogradecin?
Po së pari ishte një studim për shtrirjen e tubacioneve të ujrave të zeza dhe përpunimi i tyre që në liqen të mos kishte asnjë derdhje ujrash të zeza. Përbri ishte shuma disa milion dollarë që financonte UNESKO.
Projekti tjetër ishte ai i ujit të pijshëm për Pogradecin 24 orë pandërprerie. Kjo realizohej nga një hua që jepnin ata me kredi të butë shtetit shqiptar .
Por e veçanta ishte se në këtë projekt ishte përfshirë pika turistike e Drilonit. Ata kishin realizuar një maket jashtë zakonisht të bukur në të cilin ujërat e Drilonit shtriheshin në mënyrë simetrike në anën tjetër për nga fshati Tushemisht duke e pyllëzuar edhe pjesën tjetër, e cila do të lidhej me ura dekorative me pjesën tjetër dhe mbi kodër, që ndodhet në fund të Drilonit me ujërat e kristalta nën këmbë do të ngrihej një hotel, i madh masiv në formën e një vapori me shtatë kate tek, i cili do të shkohej nga Driloni me linjë ujore, ishte vërtet diçka fantastike …
Të them të drejtën u entuziazmova jashtë mase. Pasi pimë nga një kafe me komisionerët e UNESKOS, ata më lanë gjithçka në zyrë, maketet, projektet, për të biseduar me drejtuesit e shtetit dhe brenda dy muajve kërkonin një takim tjetër, ose më parë, apo më vonë, këtë e lanë në dorën tonë.
U ndamë miqësisht dhe unë mendova të vija menjëherë në dijeni kryeministrin Adil Çarçani që ndodhej me pushime në Pogradec së bashku me Enver Hoxhën, secili në vilën e vet. Nuk ndodhte që të ishin të dy me pushime në Pogradec. Enveri vinte çdo vit dhe Adili vinte kur ikte Enveri, por atë verë Adili ishte i sëmurë dhe i kishin rekomanduar mjekët të qëndronte në Pogradec, meqenëse ishte freskët.
Kur e takova ditën e parë që mbërriti në Pogradec, Adili me mirësjellje më thotë - Belul jam pa qejf dhe më kanë rekomanduar mjekët pushim absolute, por nëse ke diçka shumë të rëndësishme, apo urgjente eja më tako.
U mendova për një çast, kjo ishte vërtetë urgjente. I rashë numrit të telefonit në vilë (mbanin të njëjtin numër që mbanin në Tiranë, Enveri dhe Adili).
Telefonin e ngriti vajza e Adilit, Lida, e cila tërë mirësjellje më thotë se po ja kaloj linjën babit. E lamë të takoheshim.
Si ju priti Adili?
Të them të drejtën Adili ishte i sjellshëm. Vuri buzën në gaz dhe u ulëm të dy në breg të liqenit. Kisha marrë me vete të gjitha materialet që më dhanë ata të komisionit të UNESKO-s. Vendosa maketet mbi tavolinën e tij dhe i tregoj pikë për pikë projektet e UNESKO-s.
Vura se se Adili qëndronte indiferent dhe nuk i luajti asnjë muskul në fytyrë madje edhe maketin e pa pa inters fare shkarazi dhe sytë një herë i hidhte nga maja e një shelgu lotues herë nga liqeni...Pastaj m’i hodhi sytë mua nga koka tek këmbët duke m’u drejtuar: - More Belul, ti je kryetar i komitetit Ekzekutiv këtu në Pogradec apo jo?
Unë u mblodha dhe i them me gjysmë zëri,- kështu e di unë shoku Adil që jam kryetar...-Po kushtetutën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, a e ke lexuar mo kryetar, që ne nuk marrim kredi nga jashtë, e kemi të ndaluar. Çfarë do të na bësh t`i mo, të na shkelësh kushtetutën, themelin e shtetit, ë.
U ngrita nga tavolina dhe u largova si hije. I gjithë ai gëzim m’u tret për pak minuta, madje po ndjeja një ndjenjë dëshpërimi dhe ankthi pasi unë para një viti isha bërë kryetar komiteti, sapo kasha zbritur nga Mokra, ku isha kryetar cooperative. Kisha frikë se do t`i thoshte Enverit dhe do të jepte ndonjë urdhër ai, pa vishi çizmet prap dhe nisu në fshat …
Po më pas çfarë ndodhi?
I dëshpëruar iki nga vilat dhe kthehem në zyrë. Siç isha i mërzitur, thashë të ftoja Ismail Kadarenë në Drilon, ai kishte disa ditë që pushonte në Pogradec. Sapo i telefonova, Ismaili pranoi me kënaqësi. Shkova e mora me makinë tek hoteli ku pushonte dhe shkuam në Drilon, në pjesën e prapme tek një lokal që quhej “Kërmilli“, matanë urës .
I tregoj Ismailit gjithçka.
Ismaili u skandalizua. “Ore po janë në vete këta more Belul, a e di se çfarë do të thotë të hysh në UNESKO, a e di ti se si do ta bëjnë Pogradecin ata me këto projekte. Po ky është një krim”.
Të them të drejtën, vazhdon Beluli, Kadareja doli nga kontrolli, u revoltua aq shumë saqë më tha se do të takonte Adil Çarçanin. Sa pimë një kafe u ngritëm, Ismailin nuk e mbante vendi. Shkuam në zyrën time dhe Kadareja i telefonon vajzës së Adili Çarçanit, Lidës dhe i thotë se kërkon një takim me shokun Adil. Pas 10 minutash Lida kthen përgjigje se babi të pret mbasdite në orën 6 tek rezidenca e tij këtu në Pogradec.
Çfarë ndodhi në takimin e Kadaresë me Adil Çarçanin?
Ismaili shkoj në takim me Adilin shumë i inatosur madje unë ju luta të ruajë gjakftohtësinë, por Kadareja ma preu shkurt; Rri ore kryetar se ne jemi gjirokastritë me Adilin dhe e di unë si e fjalos.
Cili ishte përfundimi i takimit?
Mësova se Kadareja kishte folur ashpër dhe biseda me kryeministrin e asaj kohe Adili Çarçanin i ngjante një përplasje në formën e sherrit. Kadareja kishte parë maketet mbi tavolinën e Adilit, mbi tavolinën ku I lashë unë, por përgjigja ishte e njëjtë, nuk shkelim kushtetutën, nuk marrim hua nga të huajt. Për hir të së vërtetës pas takimit Kadareja ishte tepër i dëshpëruar më tha mua vetëm kaq; -Ju nuk jeni në vete…
Zoti Belul çfarë u realizua nga ai projekt?
Vetëm sistemi i parkut të madh buzë liqenit, që u ndërtua me forcat tona, ndërsa uji i pijshëm 24 orë dhe kolektori i ujrave të zeza u realizua pas 26 vjetësh në vitin 2009 edhe këto me kredi nga jashtë…
Desha të shtoj një fakt, thotë Beluli, kur na thërriste Enveri në vilën e tij, maketet e UNESKOS ishin mbi tavolinën e Enverit në vilën 4 ku pushonte ai. I mbante thjesht për dekor…
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 17.04.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)