Situata financiare e Barcelonës është po ajo që tashmë dihet, vështirësi edhe në likujdimin e pagave të lojtarëve. Megjithëse një gjest simbolik, trajneri Xavi Hernandez nuk do të dëmtojë llogaritë bankare të katalanasve me largimin e tij në qershor.
Ndërkohë që blaugranët kanë nisur kërkimet për trajnerin e ri të skuadrës pasi Xavi deklaroi se do të largohet në qershor, ky i fundit do të heqë dorë nga 8 milionë euro për pjesën e mbetur të kontratës së tij deri në vitin 2025 ndërsa stafi i tij stërvitor do të heqë dorë nga 4 milionë euro që do të paguheshin edhe sezonin e ardhshëm.
Kjo vjen pasi Xavi hoqi dorë nga 5 milionë euro për të përfunduar kontratën e tij me klubin e mëparshëm Al-Sadd për të lehtësuar një marrëveshje, pasi ata nuk mund të përballonin klauzolën e tij të lirimit.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, një ditë pas njoftimit të tij tha se Xavi vazhdoi të ishte ‘njeriu i klubit’ dhe sigurisht gatishmëria e tij për të lënë para në tryezë bën një ndryshim të madh për Barcelonën.