Prej 25 muajsh Shqipërisë i është ndërprerë mbështetja financiare përmes programit IPARD, që Brukseli jep për vendet kandidate për në BE.
Edhe pse në progres raportin e fundit të Komisionit Evropian, thuhej se nuk janë plotësuar të gjitha kërkesat për zhbllokimin e IPARD III me vlerë 112 milionë euro, ministri i Financave Petrit Malaj foli me ‘doza optimizmi’ në Komisionin Parlamentar të Bujqësisë teksa prezantoi projektbuxhetin.
“Për shkak të disa parregullsive që u identifikuan në fazën e dytë, Komisioni Evropian nëpërmjet DG Agri, la disa masa të cilat duhet t'i përmbushte qeveria shqiptare, masa të cilat ne jemi duke i përmbushur dhe që jam shumë optimist. Megjithatë më shumë informacion besoj do t'ju japi dhe ministri i linjës në lidhje me këtë çështje që i IPARD III, do të hapet gjatë vitit 2026”, tha ministri Petrit Malaj.
Komisioni Evropian ndërpreu mbështetjen e bujqësisë shqiptare përmes fondeve të IPARD në gusht të 2023-shit për shkak se OLAF (Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit), gjeti keqpërdorime serioze me fondet e programit te mëparshëm IPARD II, pas hetimeve që ata bën pas denoncimeve të qytetarëve të ndryshëm për korrupsion, favorizime e ndërhyrje politike.
Por mungesa e fondeve të IPARD, tha ministri janë mbuluar nga buxheti i shtetit, ndërsa mbështetja sipas tij do të shtohet më tej në 2026-ën përmes edhe skemës së re të TVSH-së, ku kompensimi nuk do të jetë më 0 por rritet në 10%.
“Do të jetë një pagesë e drejtpërdrejtë në llogarinë e fermerit ashtu siç bëjmë për kompensimin e naftës. Kjo do të jetë dhe ne e kemi parashikuar që minimalisht do të jetë 15 milionë euro por natyrisht besojmë që kjo vlerë do të jetë shumë më e madhe sepse duke komponentin e rimbursimit të TVSH-së për fermerët, do të kemi dhe një formalizim më të madh të ekonomisë. Pra, vetë fermerët do të jenë më të interesuar për të marrë faturat kur çojnë produktet tek grumbulluesit”, tha ministri.
Kompensimi për fermerët do të bazohet në faturat e fermerëve për inputet që blejnë, fara, fidanë, pesticide etj, dhe mbi faturat që ato do të marrin nga grumbulluesit pasi i shesin produktet.
Me ndryshimet ligjore të ligjit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në 2018-2019 u vendos që TVSH-ja për bujqësinë të jetë 0%. Në këtë rast grumbulluesit, tregtarët apo kompanitë nuk kanë asnjë interes për të blerë prodhimin vendas, duke lëshuar faturë me TVSh pasi nuk e rimbursojnë dot më atë.









