Ky lloj predestinimi, shënjimi nga fati i keq njëherë e përgjithmonë, nuk do të ndryshonte për gjatë gjithë kohës së komunizmit. Në një farë mënyre, hijet e këtij fati të paracaktuar si në tragjedinë klasike greke, ndëshkimi fatal në tre breza për faje që i bënë gjyshat, vazhdoi dhe në periudhën e quajtur të tranzicionit. Ish-pushtetarët e morën pushtetin për t’i gëzuar prapë privilegjet, për të fituar prona e biznese tashmë në kohën që u quajt demokraci. Lufta e dytë botërore ka mbaruar në Shqipëri që më 1944, por hijet që ka lënë pas vrasin ende si dikur, si para 1944-ës. Ende ky mit i luftës së madhe e të lavdishme vazhdon të ruhet në funksion të pushtetit, pronave, bizneseve për ata që e kanë të shkruar në ballë me ngjyrë të kuqe yllin e fatit.
Kështu Evgjen Merlika që kam njohur më 1967 vazhdoi t’i ketë duart me kallo tërë jetën. Diktatura politike e donte me shpinë të përulur e të thyer në punë të rënda. Diktatura e hallit, e nevojës për para mbas ’90-tës ia diktuan t’i thyejë muskujt e krahëve, ta ntrashë lëkurën në shputat e duarve përsëri. Destini i luftës së Dytë paska qenë i shkruar mbi ballin e tij me një vulë si ngjyra e deles së errët që nuk bëhet e bardhë. Këtë vulë të padrejtësisë kohërat nuk ia hoqën. Ai vuajti fatin e tij si një fajtor krejtësisht i pafaj.
Gjyshin e tij Mustafa Krujën, atë që i bëri hije tërë jetën dhe ia paracaktoi një fat të tillë që pa lindur, Evgjeni nuk e ka njohur kurrë. Ai në gjithë jetën e ka dashur dhe ka qenë krenar për gjyshin e tij.
Për këtë gjysh ai më ka folur në Burrel, kur me një verë pak të athët po festonim në një lokal të varfër të Burrelit ardhjen e Vitit të Ri 1968. Më ka folur se i gjyshi kishte lënë një gramatikë, se kishte lënë një fjalor voluminoz të gjuhës shqipe, fjalor që mund të ishte vepra e jetës së tij. Këtë fjalor të përfunduar në dy kopje ai e la në Shqipëri para se të largohej përfundimisht më 1944. Me gjithë kërkimet, ai ka humbur pa lënë gjurmë. Evgjeni më thoshte se i ati ishte inxhinier elektrik dhe nëna, mamina siç i drejtohej asaj në letra, ishte lauruar për histori me një temë diplome për Lidhjen shqiptare të Prizrenit. Ajo ishte e bija e një publicist patriot kolonjar dhe e kishte emrin Elena Gjika. Eugjeni në çantën e ushtarit kishte libra frëngjisht dhe italisht, gjuhë që ai i fliste dhe i shkruante.
(Foto/Mustafa Kruja në takim me kosovarët)
Kështu mësova se vec se njeri i politikës, Mustafa Kruja na ishte një njeri i letrave, gjuhëtar e leksikograf, përkthyes e polemist i spikatur, historian. Ai ka drejtuar Institutin e Shkencave në krah të Koliqit, Xhuvanit, Çabejt, L. Poradecit etj. Më pas mësova se ai ka firmosur në krah të Ismail Qemalit në Vlorë më 1912. Një mjeshtër stili si Koliqi lavdëron në mënyrë të veçantë stilin e epistolarit të pasur të Mustafa Krujës. Mku i tij, prof. Karl Gurakuqi me sentiment dhe me kandarin e urtisë ka gdhendur fjalë lapidare për Mustafa Krujën në një letër dërguar atij me rastin e 70-vjetorit. Sot është bërë e qartë se kush është Mustafa Kruja. Ai u përket të dy fushave ku u shqua në të gjallë të tij: historisë së Shqipërisë, si patriot dhe si burrë shteti, i përket dhe dijes si njeri i letrave, si gjuhëtar në veçanti. Kontributin e tij në këto dy fusha nuk e fshin dot njeri. Zgjedhjet e tij të mira në shërbim të politikës i takojnë historisë së Shqipërisë, ndonjë episod fatkeq i takon vetëm atij. Në çdo rast ai është udhëhequr nga parimi se e mira më e lartë, më e shenjtë është e mira e atdheut të tij.
Nga ato netët e ftohta dimërore në pyjet pranë Burrelit kur me Evgjenin gjenim kohë të flisnim për letërsi, për filozofi e politikë, së paku, një gjë që e dija, tashmë u përforcua fare qartë për mua: në se nuk janë komunistë, kjo nuk do të thotë se nuk janë patriotë njerëzit që politika i ka amballazhuar nën kartonin e zi të biografisë së keqe. Zbulova dhe diçka tjetër. Kjo për atë që në atë kohë donte të mendonte me kokën e tij, nuk ishte pak. Zbulova se nuk është fatkeqësi që të kesh dhe një pikëpamje tjetër mbi botën, mbi politikën. Të kesh pikëpamje të ndryshme nga ajo që shpallet zyrtarisht si e vetmja, si më e drejta pikëpamje në gjithësi, madje dhe pikëpamje të kundërta me të, kjo është pasuri. Kjo m‘u ngulit ngaqë Evgjeni ishte njeri me ndërgjegje politike të përpunuar. Shumë nga ata që ishin ushtarë në një kapanon me ne, më tepër ishin politikisht të damkosur si armiq, të paracaktuar si njerëz të ndryshëm politikisht, nga ç’ishin në të vërtetë.
Me Evgjenin bisedonim gjatë, për muaj me radhë, herë hapur, herë me doreza e nënkuptime. Unë e desha dhe e besoja Evgjenin në ato që thoshte. Ky nip i atij që atëherë quhej tradhtari, i shituri ishte një nga njerëzit që më jepte urtësi, besim dhe kënaqësinë e të menduarit ndryshe. Shumë nga ata të shkolluar të asaj kohe, shokë të mi pune, madje dhe lektorë në universitet, nuk e mendonin dot që njeriu mund të jetojë dhe me një mendim tjetër, të kundërt, dhe me një optikë të ndryshme për gjërat, për njerëzit, për politikën etj. Mbase më tepër besonin se njeriu mund të bjerë në skizofreni po të jetojë me dy mendime të kundërta në kokën e tij. Duke jetuar e punuar me këta ushtarë me jetë dhe me familje të sakatuara nga politika, po më dukej normale, të kesh rezerva, dyshime, pikëpamje të ndryshme, të kundërta për punët, për njerëzit dhe duhet që ato t’i fshehësh, t’i varrosësh në vete duke vazhduar të jetuarit në paliri.
Fatet tona, të miat dhe të Evgjenit u ndanë, sa mbaruam ushtrinë. Kur rastësisht jemi parë më pas, takoheshim sikur sapo të ishim ndarë. Tek ne ishte shtruar një herë e përgjithmonë një rrugë mirëkuptimi e mirëbesimi që nuk u thye kurrë. Ai e pësoi me burgim e me mundime e vuajtje që vetëm ai i di, por unë them se Evgjenin këto nuk e ndryshuan si njeri, nuk sollën helm e ligësi tek ai. Për ata që e njohin dhe për mua ai është njeriu që ka pasur brenda vetes kurajo e burrëri për të duruar padrejtësi nga të tjerët dhe për të qenë vetë i drejtë dhe plot mirësi.
Ata që e vazhdojnë ende ndarjen e njerëzve e të fateve si nën Luftën e Dytë, nuk janë penduar, dhe as kanë gjykuar për fatet e klasës së njerëzve si miku im E. Merlika. Kjo lloj lufte klasash, ky segregacion, ka sjellë te njerëzit e te shoqëria jonë më shumë fatkeqësi se sa Lufta e Dytë. Këtë ide e ka shtjelluar Ben Blushi te libri i tij i fundit. Rezultati i asaj politike me idhuj të përjetshëm e të pagabueshëm, me idhuj që duhet t’i duam verbërisht dhe më armiq që i paracakton politika si të tillë e që duhet t’i urrejmë verbërisht, solli atë që sa mori fund kjo politikë, Shqipëria humbi një të tretën e popullsisë së saj. As murtajat, as luftërat nuk i kanë bërë më keq këtij vendi. Mbase vetëm luftërat në kohën e Skënderbeut me pushtimin turk, Shqipërisë i kanë sjellë si pasojë kaq hemoragji të gjakut të saj jetik. Politika e instrumentalizuar që sharton dijen historike më dogmën fanatike i ka shërbyer vetëm papërgjegjësisë politike, verbërisë politike dhe humbjes së të ardhmes. Ne jemi një brez që jemi dëshmitarë të një mendimi dhe veprimi politik kaq fatkeq.
E di që Evgjen Merlika ka pasur interesa të tjera veç atyre që ta ushqejë e ta rrisë familjen e tij. E di që ai mund të shkruante letërsi, memuaristikë, eseistikë, por fisnikërisht ai u përkushtua në mbledhjen, përgatitjen për shtyp e botimin e librave të gjyshit të tij. Ai ka botuar tani së fundi një korpus prej katër vëllimesh voluminoze të epistoarit të M. Krujës. Këto letra janë dëshmi për kohën njerëzit, interesat dhe tiparet e personalitetit të shumë figurave historike si E, Koliqi,K.Gurakuqi, Eqerem Vlora, Tahir Kolgjini e shumë të tjerë. Evgjeni i ka promovuar këto libra të gjyshit të tij. Ka bërë ribotime në gazeta të ditës, ka organizuar simpoziume shkencore ku janë shprehur për to dsa nga emrat më të njohur të albanologjisë sonë.
Kjo është një punë me vlerë dhe që i jep përgjigjen përfundimtare asaj pyetjes që shtrova në krye të këtij teksti: Kur e kam johur Mustafa Krujën? Evgjeni i arriti kësaj: ia ktheu këtë figurë kulturës shqiptare.
*)Fjala e mbajtur gjatë promovimit të 2 qershorit në Shkodër, të katër vëllimeve “Kuvend letrash me miqtë” me autor Mustafa Krujën, botuar nga Omsca-1”
Lajmi u publikua në "Shqiptarja.com" (print) 08.06.2014
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)