“Presidenti i votuar i Shqipërisë, Bujar Nishani, rezulton të ketë një master false “Për studime evropiane”, marrë në vitin 2005 në Tiranë. Masteri shpërndahej nga një institut fantazmë francez, në bashkëpunim me disa pedagogë të Fakultetit Histori- Filologji. Në shtator të vitit 2011 Gjykata e Tiranës ka dënuar shtetasin francez Bruno Hamard, që shiste për 300-1000 euro diploma për “Master” dhe “Doktoraturë”, thuhet në shkrim.
Ndërsa shtohet se në këtë listë ka shumë zyrtarë dhe deputetë të cilët kanë marrë masterin fals. Pasi mashtroi profesorin e fakultetit të Histori-Filologjisë, Petrit Nathanailin, francezi nga Nanterre themeloi në Shqipëri Institutin “IRERIE”.
Ne fakt vetë Presidenti në CV e tij shprehet se “Në vitin 2005 merr titullin “Master, në Studimet Evropiane'', por citon ''Shkollën e Studimeve Evropiane, pranë Universitetit të Tiranës''. Pra nje diploma të vlefshme
Sot ka reaguar Presidenca:
''Sot, në Gazetën Shqiptarja.com të botuesit Carlo Bollino, akuzohet Presidenti i Republikës për gjoja diplomë fallco të masterit të Presidentit të Republikës të marrë nga një Institut Francez në Tiranë. Ky shkrim përbën një shpifje dhe ofendim të rëndë ndaj Presidentit të Republikës.
''Presidenti Nishani nuk është regjistruar kurrë në një Institut të tillë, nuk ka frekuentuar kurrë një institucion të tillë dhe nuk është pajisur kurrë me një dokument nga ky Institucion.
''Nuk ka patur kurrë ndonjë deklarim verbal apo me shkrim nga ana e Presidentit Nishani për studime në këtë Institut.
''Presidenti Nishani ka kryer studimet pasuniversitare të titullit Master në Universitetin e Tiranës, Shkolla Pasuniversitare për Studimet Europiane ku është diplomuar me notën 10, si dhe ka kryer studime pasuniversitare në Navy Postgraduate School, në Monterey të Kalifornisë.
''Kabineti i Presidentit e fton gazetën Shqiptarja.com të kryejë të gjitha verifikimet e duhura pranë këtyre institucioneve, frekuentimin e tyre nga Presidenti Nishani si dhe punimet e diplomës dhe vlerësimin e saj nga autoritetet akademike.
''Me këtë rast, edhe njëherë, Presidenti i Republikës i drejtohet popullit shqiptar duke e siguruar atë se do të vazhdojë të qëndrojë i fortë në mbrojtje të Institucionit më të lartë të Shqipërisë, atij të Kryetarit të Shtetit, i papërkulur ndaj çdo lloj shantazhi, intimidimi apo provokimi.''
(e.c/shqiptarja.com)