Apple ka rritur çmimet e iPad-ëve dhe kompjuterëve Mac për shkak të furnizimeve më të kufizuara me çipat e memories. iPhone ka të ngjarë të jetë i radhës, kështu që nëse prej kohësh po mendoni të bëni një përmirësim, tani ndoshta është momenti i duhur. Pavarësisht nëse po mendoni të kaloni në një pajisje të re apo planifikoni ta përdorni iPhone-in tuaj aktual edhe për disa vite të tjera, ndoshta mund t’ju vijë në ndihmë ky artikull për të ditur sesa mund të zgjasë.
Përgjigjja në fakt ka dy aspekte. I pari është se për sa kohë iPhone-i juaj do të vazhdojë të funksionojë normalisht përpara se të ketë nevojë të zëvendësohet. E dyta është sa gjatë mund të vazhdoni ta përdorni përpara se veçoritë e reja dhe më tërheqëse të modeleve të fundit të iPhone të bëhen shumë joshëse për t’u injoruar.
Nëse synoni ta mbani telefonin tuaj sa më gjatë që të jetë e mundur, zgjedhja e një iPhone është ndër më të mirat. Apple prej vitesh dallohet për mbështetjen afatgjatë me përditësime të softuerit. Edhe pse telefonat më të rinj Pixel dhe Samsung tashmë premtojnë deri në shtatë vjet përditësime të sistemit operativ, ende nuk ka kaluar mjaftueshëm kohë për të parë nëse këto premtime do të përmbushen plotësisht.
Nga ana tjetër, Apple njoftoi se versioni më i ri i iOS do të mbështesë edhe iPhone 11, një model i lançuar në vitin 2019. Përditësimet sjellin veçori të reja, por mbi të gjitha përfshijnë korrigjime sigurie që mbrojnë pajisjen nga dobësitë e reja të zbuluara. Duke u bazuar në historikun e mbështetjes së Apple, modelet më të reja si iPhone 16 ose iPhone 17 pritet të vazhdojnë të marrin përditësime të paktën deri në vitin 2031.
Një pengesë është degradimi i baterisë. Sipas Apple bateritë e gjeneratës iPhone 15 (dhe me shumë mundësi edhe të modeleve më të reja) janë projektuar të ruajnë rreth 80% të kapacitetit të tyre fillestar pas 1.000 cikleve karikimi.
Nëse pajisja juaj është disavjeçare, zëvendësimi i baterisë me një të re mund të përmirësojë ndjeshëm performancën. Megjithatë, pas një periudhe të caktuar, pjesët e tjera të telefonit gjithashtu plaken, ndaj vetëm një bateri e re nuk do të mjaftojë për të kompensuar procesorin më të ngadaltë dhe memorien RAM.
iPhone-ët kanë bërë përparime të mëdha sa i përket cilësisë së materialit të pajisjes.
Apple hoqi dorë nga titani dhe kaloi te alumini me serinë iPhone 17 Pro. Edhe pse ka pasur disa raportime se varianti me ngjyrë portokalli mund të kthehet në një nuancë rozë me kalimin e kohës, vetë pajisjet vazhdojnë të jenë rezistente.
Apple do të vazhdojë të kufizojë disa veçori të softuerit, si versionin e personalizuar të inteligjencës artificiale Siri, vetëm për modelet më të reja të iPhone. Po ashtu, do të ketë edhe veçori të reja si funksioni Camera Control, por asnjëra prej këtyre nuk duhet të jetë arsye e mjaftueshme për të zëvendësuar një iPhone që funksionon ende në mënyrë të përsosur.
Komente











