Në Kushtetutën e Shqipërisë thuhet ndër të tjera: Gjyqtari mund të shkarkohet nga KLD-ja për kryerjen e një krimi, për paaftësi mendore dhe fizike, për sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit ose pamjaftueshmërinë profesionale (Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 147, pika 6). Nëse do të kishim një Këshill të Lartë Drejtësie funksional, kuptohet që gjykatat nuk do të ishin të mbushura me delenxhinj, hajdutë e mashtrues.

Prandaj reformimi është një nevojë e kohës. Parlamenti i sotëm, kryesisht mazhoranca, në këtë kuadër ka vendosur të shkarkojë nënkryetarin e KLD-së, zotin Çefa dhe për këtë ka ngritur argumentat e veta. Natyrisht, zoti Çefa, si një drejtues i lartë në sistemin gjyqësor, bëri dhe do të bëjë mbrojtjen e vet, duke mos pranuar
akuzat për shkarkimin e tij. Opozita, nga ana e saj, është hedhur në sulm

për mbrojtjen e Çefës me anë të përfaqësuesit të saj, deputetit Eduard Halimi, ish-ministër Drejtësie në qeverinë Berisha. Tepër i shqetësuar, Halimi deklaron: I bëjmë thirrje (sa herë del në podium, Halimi bën thirrje, duke kërcënuar me gishtin e tij tregues….) Gjykatës Kushtetuese të shqyrtojë sa më shpejt çështjet e ngritura para saj. I bëjmë thirrje çdo gjyqtari të kësaj Gjykate dhe gjithë sistemit gjyqësor: Mos u gjunjëzoni para presionit të krimit dhe mafies së veshur me pushtet! Halimi dhe gjithë deputetët e PDsë kanë qenë dakord (mendoj që ende janë dakord) që sistemi i drejtësisë në Shqipëri është një kancer i tmerrshëm dhe mjerë ata që kanë pasur punë me të. Flasim për sistem të drejtësisë dhe jo për individë të paktë (gjyqtarë) në se ka, që mund të bëjnë përjashtim.

Së pari, Halimi me shokët e tij duhet të sqarojnë e bindin shqiptarët se pse po bëhet një padrejtësi për shkarkimin e Çefës e jo të bluajnë ujem dhe së dyti a e dëgjon veten
e tij kur flet e bën thirrje në emër të Partisë Demokratike, “… gjithë sistemit gjyqësor të mos gjunjëzohet para krimit e mafies së veshur me pushtet?” Po vetë sistemi gjyqësor ka trajta të një mafie që ka kapur shtetin shqiptar! Këtë e ka pohuar pozita, opozita dhe veçanërisht ndërkombëtarët. Cilët të rezistojnë, zoti Halimi: hajdutët, mashtruesit dhe banditët e sistemit të drejtësisë në Shqipëri? Cilët janë ata që duhet të rezistojnë? Nëse është fjala për ca individë të Drejtësisë, dakord, po sa për sistemin…?! Po përgatitu, o njeri, kur del e flet e këshillohu me miq e shokë, atje në parti…

Më tej, me të njejtin ton patetik, Halimi vazhdon: Partia Demokratike i bën thirrje (sërish thirrje) sot gjithë faktorit ndërkombëtar të hapë sytë para asaj që po ndodh në Parlament, ku njerëzit e krimit vendosin të shkarkojnë anëtarët e KLD-së; njerëzit, që qeveritë e tyre kërkojnë të ekstradojnë Po qetësohu e folshtruar,zotideputet! Faktori ndërkombëtar,ai në Evropë dhe ai tjetri matanë Atlantikut, ka njëzet vjet që flet e kërkon reforma në sistemin e Drejtësisë shqiptare. Nëse kjo reformë,që po tentohet të kryejë mazhoranca,nuk është e duhura dhe kërkon të bëjë zëvendësime pa prekur sistemin, ja ku ështëParlamenti, ja ku janë komisionet,podiumet e mediat;të argumentohet gjithçka, duke iu referuar ligjeve dhe fakteve.

Halimi pretendon se ka parë një kriminel, që është strehuar në makinën e një deputeti, kur po e ndiqte policia, madje i ka marrë dhe targën. Epo kjo nuk ka kuptim fare. Po pse nuk e denoncon, po na tregon përralla e fjalë-kryqe me mbret e mafiozë? Duhet të keni më shumë respekt për ata që ju kanë zgjedhur, z.Halimi! Shko e mbroje Çefën dhe sistemin e drejtësisë, që ngrite për tetë vjet, atje ku është për t’u mbrojtur, me durim, me gjakftohësi, me drejtësi, me logjikë e vendosmëri. Jo nga maja e podiumit dhe as nga dritarja e bunkerit. Të jesh i sigurt që njerëzit do të të kuptojnë. Sa për faktorin ndërkombëtar, ai hapur i ka sytë. Po ti mirë e ke, xhanëm, se bën vaki (ndodh) që ndonjë  fle gjumë dhe e zgjojnë cicërimat e tua…


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)