Në një kohë kur të gjithë deputetët demokratë u rreshtuan në mbështetje të protestës së djeshme të organizuar nga opozita, në radhët e tyre kaloi pa u vënë re një zë kundër formës se si u mbajt ky tubim. Ndryshe nga përfaqësuesit e tjerë të opozitës të cilët fajësuan policinë për degradimin e situatës në dhunë, Rudina Hajdari, deputete e PD, njëhkohësisht edhe vajza e Azem Hajdarit, deklaron se opozita duhet të merrte shembull nga protesta e studentëve të cilët në asnjë moment nuk ranë pre e provokimeve. Ajo thotë se çdo akt dhune është i papranueshëm duke theksuar se përdorimi i saj daobësoi kauzën e vërtetë të protestës.

Deklarata e plotë e Hajdarit:

"Një protestë e sukseshme nuk duhet të ketë dhunë në asnjë rast.

Qytetarët e Shqipërisë kanë shumë të drejtë dhe arsye të protestojnë kundër keq-qeverisjes, kriminalitetit, abuzimit shtetëror, autoritarizmit, papunësisë, padrejtësisë, diskriminimit, mos-zhvillimit .. etj.

Por mënyra sesi ne protestojmë dhe qëndrimet që ne mbajmë janë tepër të rëndësishme.

Çdo akt dhune i ndërmarrë është i papranueshëm dhe jo-legjitim.

Herojnë janë ata që distancohen nga dhuna dhe që përfaqësojë me dinjitet qytetarët, pjesa më e madhe e të cilëve janë kundër dhunës. Dhuna nuk e forcon kauzën tonë të drejtë, përkundrazi ajo e dobëson atë dhe madje rrezikon misionin dhe objektivat opozitare e demokratike.

Sikurse studentët, edhe ne rast provokimesh, duhet të tregojmë lidership dhe të menaxhojmë me integritet, të bashkuar, të vendosur dhe paqësorë derisa copëzat e fundit të një qeverie të rënë të shkërmoqen deri në fund për të hapur rrugë një modeli evropian qeverisje", përfundon Hajdari.

Deklarata e saj vjen një ditë pas protestës së opozitës, e cila degradoi në dhunë, pasi disa përfaqësues të PD u përpoqën të hynin me forcë në kryeministri. Menjëherë pas nisjes së incidenteve erdhi dhe reagimi i ndërkombëtarëve të cilët i bënë thirrje qytetarëve të disatoheshin nga dhuna, daklarata të cilët munguan nga liderët opozitarë.

Edhe më herët deputetja demokrate ka mbajtur qëndrime të ndryshme me pjesën tjetër të opozitës. Gjatë protestës së studentëve ajo deklaroi se ishte e gatshme të hiqte dorë nga mandati i deputetes për t'iu bashkuar kërkesave që ata i paraqisnin qeverisë. Në një deklaratë përpara kolegëve deputetë në Kuvendin e Shqipërisë ajo tha se nëse vërtetë politika do ndryshim në këtë vend nuk duhet të qëndrojë nëpër kafe.