Në dialogun e nisur tashmë në mes të Prishtinës dhe Brukselit, duhet të evitohet që tema e EULEX-it të jetë pjesë e fushatave politike vendore, apo e hesapeve ditore politike.

Gjashtë muaj më parë, diç e tillë do të klasifikohej menjëherë si fantastikë shkencore.

Sot është realitet. Këto ditë, autoritetet e Kosovës paralajmëruan domosdoshmërinë e

nisjes së bisedimeve për përgatitjen e procesit të përfundimit të Misionit të EULEX-it në Kosovë, i cili do të duhej tash një vit, sipas marrëveshjeve të mëparme, të ishte pjesë e historisë së Kosovës.

Këto ditë, poashtu, autoritetet e Serbisë pohuan që nëse EULEX do të largohet nga Kosova, Marrëveshja e parë, e 19 prillit, për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të zhvlerësohet, dhe, madje, Beogradi do të heq dorë prej saj.

Para gjashtë muajsh, Beogradi nuk ka dashtë të ndi për EULEX-in, ndërsa Prishtina ende ka menduar që EULEX-i do të ketë punë këndejpari edhe pas qershorit të vitit 2014.

Para pesë vjet e më shumë, ishte Qeveria e Serbisë ajo që me ngulm kundërshtonte vendosjen e EULEX-it në Kosovë, i cili ishte ftuar në Republikën e saposhpallur të Kosovës, tok me ICO-në (Zyren Civile Ndërkombëtare), nga Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Çfarë ndodhi në muajtë e kaluar që ndryshoi qëndrimin e Beogradit?

Dhe pse Prishtina zyrtare vlerëson që në mënyrë të natyrshme, Misioni ndërkombëtarë për sundimin e ligjit duhet t’i dorëzojë ‘çelësat’ (autoritetin ekzekutiv), tek institucionet vendore? Fjala magjike këtu është: besimi. Fjala më e saktë është ndërtimi i kapaciteteve të mirëfillta: Në Veri të Kosovës dhe në gjithë territorin e Kosovës.

Kur bëhet fjalë për besimin, në Veriun e Kosovës, për Beogradin, prania e EULEX-it, me fuqitë ekzekutive që ka, është një garant për popullatën lokale serbe, e cila nuk i beson (ende) autoriteteve kosovare.

Kur flitet për besimin në raportet e autoriteteve të Kosovës në Prishtinë dhe EULEX-it, ato kanë pasë rëniet dhe ngritjet e njohur që nga pranvera e vitit 2010, kur EULEX-i nisi hetimet për korrupsion, për t’iu kthyer më pas, shumë më tepër, hetimeve për krimet e

luftës.

Kosovarët duan të besojnë që tash një vit, do të jenë në gjendje të ofrojnë një gjyqësi, një rend dhe ligj, më efikas, më të qëndrueshëm, më stabil se sa është tash. Po ashtu, supozohet që Veriu, tash një vit do të jetë i integruar njëlloj si lokalitetet e banuara me shumicën serbe në këtë pjesë të Kosovës.

Evropianët (e Brukselit, së paku), nuk besojnë shumë që diç e tillë është e mundur për 12 muajë, as në Veri, dhe as në pjesët tjera të Kosovës. Në anën tjetër, ata e dinë që synimi i kosovarëve është i shëndoshë, i ndershëm, dhe do të duhej të përkrahej.

Këtu tash vjen në shprehje dallimi aktualisht i madh (duhet thënë), si në Veri, ashtu edhe në pjesët e tjera të Kosovës, në mes të nocioneve të besimit dhe të kapaciteteve politike dhe organizative për t’i bërë punët si duhet në Veri dhe në gjithë Kosovën.

Duhet thënë hapur: farë entuziazmi për EULEX-in në Kosovë, nuk ka. Rrugët dhe motivet për të mbërritë tek ky konkludim janë të ndryshme. Shumica dërrmuese e kosovarëve, e ka përceptuar EULEX-in, një mision thuaja kryekëput evropian, si kalorësinë amerikane të filmave western, e cila do të intervenojë, qoftë edhe në çastet e

fundit, për ta sjellë drejtësinë në vend, dhe për ta zhbërë krimin e organizuar dhe korrupionin. Pakkush këndejpari ka munduar që EULEX do të merret, me aq intensitet, me luftën e viteve 1998-të dhe 1999-të në Kosovë.

Ndërsa Kosova është larg përmbushjes së kritereve të cilat do ta bënin Kosovën një shtet që përballet në mënyrë të duhur me sprovën e korrupsionit dhe të krimit të organizuar.

Në Serbi, ky perceptim po ashtu ka qenë mbizotërues vite më parë, kur EULEX-i mbërriti të vendoset në Kosovë. Është llogaritur, prandaj edhe është kundërshtuar me aq këmbëngulje ky Mision, që EULEX-i do ta ndihmojë thelbësisht stabilizimin e shtetit të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, dhe që në këtë mënyrë, do ta bëjë të suksesshëm shtetin e Kosovës, gjë që ishte e papërballueshme për Qeverinë e Serbisë. Serbia nuk arritë të ndalë bërjen e shtetit të Kosovës më 2008, por që prej 17 shkurtit (2008) e tutje, ka bërë gjithçka që ky shtet të mos jetë i qëndrueshëm, i arrirë, as brenda territorit të vet dhe as në bashkësinë ndërkombëtare.

Tani, për Beogradin zyrtar, KFOR-i dhe EULEX-i duhet të jenë garantues suprem ndërkombëtarë për serbët e Veriut të Kosovës, dhe ky është prioriteti i Qeverisë së Serbisë.

Autoritetet kosovare, në anën tjetër, nuk kanë gjë kundër këtij roli të EULEX-it në Veriun e Kosovës, i cili do të duhet andejpari, njëlloj si KFOR-i.

Qëllimi sipëror i Prishtinës është integrimi i plotë i Veriut në rendin kushtetues dhe ligjor të Kosovës, dhe ky qëllim ka mbështetjen e KFOR-it dhe EULEX-it, përmes Marrëveshjes së 19 prillit, para se të gjithash.

Por këndejpari, vendorët duan të fuqizohen në rrafshin e sundimit të ligjit, diç që si synim nuk ka si të kontesohet. Me siguri që edhe pas përmbylljes së Misionit të EULEX-it, të kompetencave ekzekutive, do të ketë vullnet në vend që evropianët të jenë këshilltarë dhe

vëzhgues të proceseve kosovare në sundimin e ligjit.

Çfarë duhet të evitohet në këtë dialogun e nisur tashmë në mes të Prishtinës dhe Brukselit është që tema e EULEX-it të jetë pjesë e fushatave politike vendore, të kujdoqofshin ato, apo e hesapeve ditore politike.

Ky dialog do të duhej në fakt të shërbente si një motivim shtesë i politikës dhe i gjyqësisë kosovare për të ndryshuar gjendjen e sotme në drejtësi, e cila ende është larg asaj të synuarës dhe të dëshiruarës.

Nga Blerim Shala